“Procesi i aplikimit për naftën falas, ka mobilizuar fermerët në të gjithë vendin”, u shpreh sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi. Ajo theksoi se, “ata e shohin skemën si shtysë për të rritur aktivitetin e tyre prodhues”.

“Me anë të kartës së naftës, fermerët do të ulin kostot e prodhimit, do të motivohen për të punuar më shumë tokën dhe do të rrisin fitimet”, nënvizoi Ekonomi. Ajo shtoi se, “afati deri kur ju mund të aplikoni në portalin e-Albania është deri më 25 shkurt”. Ekonomi solli rastin e Reshat Hoxhës, pronar i një ferme i cili tregon për rritjen e aktivitetit të tij.

“Tek blloku i serrave prej 4 dynymësh mbillen prodhime gjatë gjithë vitit, kultura sipas sezonit, kulturat e dimrit dhe kulturat e verës. Kemi dhe sipërfaqe të tjera toke ku kryesisht mbjellim misër dhe foragjeret e ndryshme”, thotë Hoxha. Për sa i përket skemës së naftës, ai shprehet se, “do t’i japë shtysë dhe do na mobilizojë që të ingranohemi më shumë me punët tona këtu në bujqësi”.