Pas suksesit dhe dominimit në derbi ku Interi triumfoi në shifrat 0-3 ndaj Milanit, Antonio Konte është shfaqur i lumtur në mikrofonat e “DAZN” teksa analizon këtë fitore, teksa skuadra zikaltër nis “arratisjen” drejt titullit kampion me një distancë nga kuqezinjtë e Piolit në +4 pikë:

Derbi më i bukur i Kontes – “Duhej të vinte kjo fitore. Ishte një ndeshje e bukur, por të mos harrojmë se në Milano gjithmonë është ndjerë derbi, por ishte dhe se të dyja skuadrat renditeshin në majat e klasifikimit pas shumë vitesh dhe kjo sfidë luhej me shumë pasion. Jemi duke u rritur, kemi nisur një rrugëtim rritjeje që prej një viti e gjysmë. Komplimente djemve, kanë zhvilluar një ndeshje të madhe dhe të përgatitur deri në detaj. Lojtarët tanë ishin protagonistë në fushë.”

Shtysa pas fitores në derbi për titullin kampion – “Nuk e di nëse do të jetë një shtysë vendimtare kjo fitore ndaj Milanit në derbi. Në nivelin psikologjik i frikësohem dy sfidave të ardhshme, ndaj Xhenoas dhe asaj kundër Parmës, pasi janë pengesa që duhet t’i tregojmë që kemi bërë hapin e duhur për të mbajtur kreun e klasifikimit deri në fund. Do të na tregojnë shumë se çfarë do të bëjmë nëse duhet të sillemi si të mëdhenj.”

Kthesa e Interit – “Ne u bëmë të vetëdijshëm kur në ndeshjet me kundërshtarin direkt filluam të fitojmë. Ndeshja e sotme, kundër një ekipi të shkëlqyer si Milani, konfirmoi se ka rritje të madhe. Ekziston një rritje e madhe, duhet të vazhdojmë kështu, është e pashmangshme që rezultatet të ndihmojnë. Puna është aty dhe është shumë e madhe kjo që kemi kryer, nëse rezultatet arrijnë është më lehtë për mua të ngulis situata të caktuara.”, përfundoi trajneri i Interit, Antonio Konte.