Ditën e sotme në Londër Florian Marku zbret në ring për të luajtur një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Rylan Charlton, një tjetër boksier i fortë e i pamposhtur. Boksieri lushnjar vjen pas një barazimi të pamerituar dhe tashmë dëshiron të tregojë se është një nga më të mirët në ishull. Në një intervistë për Sky Sport, Marku tregon orarin dhe kanalet ku do transmetohet ndeshja.
“Ndeshja është të shtunën dhe do transmetohet ‘live’ në Sky Sport dhe DAZN. Mezi po pres. Kundërshtari është Rylan Charlton. Jam përgatitur si kurrë më parë dhe mezi pres t’ju bëj krenarë. Ndeshja ime është e parafundit dhe pritet të jetë rreth orës 21:00-21:30 me orën lokale në Londër”, tregon Marku.
KONFERENCA PARA NDESHJES E MARKUT – “Mezi po e prisja këtë ditë që nga padrejtësia e ndeshjes sime të fundit. Jam i lumtur që Charlton është i pamposhtur sepse kjo është ndeshja që unë dua. Jam 100% i sigurt se mund të fitoj me KO. I thashë se është shumë i ngadaltë për mua dhe ka për ta parë këtë. Ai është si bodybuilder, por nuk është këtu për të ngritur pesha, jemi këtu për të grushtuar.
Nuk është në nivelin tim, le të shohim nëse i bën ato që thotë. Ai në raundin e parë do mundohet të tregojë gjithçka, por pas raundit të parë do të ndryshojë mendje sepse do e shohë se kë ka përpara. Unë mund ta humb ndeshjen vetëm në momentin që bëhem i pavetëdijshëm, për sa kohë që shoh apo dëgjoj, jam i pathyeshëm. Në ndeshjen e fundit nuk prisja të shkonte tetë raunde, por tani jam gati edhe nëse zgjat më shumë. Charlton do të jetë i kujdesshëm, ai nuk ka mundësinë të më ndjekë mua. Performanca ime e fundit ishte më e keqja, por unë fitova pastër. Tani është koha të tregoj forcën time”, u shpreh Marku.