Bashkia e Tiranës ka sistemuar në qendrat e saj sociale njerëzit në nevojë dhe në situatë rruge për të përballuar të ftohtin e madh që ka përfshirë vendin. I tillë është edhe rasti i Arjan Kurtesit dhe i Leonard Bogës, të cilët janë në situatë rruge. Tashmë ata kanë një strehë të ngrohtë ndërkohë që janë nën kujdesin e vazhdueshëm të punonjësve social të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj u ka bërë thirrje qytetarët që në këto ditë ku temperaturat janë nën zero të kujdesen për të afërmit e tyre.

Mirënjohje kolegëve që sistemuan personat në situatë rruge nga rrethe të ndryshme në Qendrat Sociale të Bashkisë Tiranë. Askush s’duhet të rrijë jashtë në këto kushte, pavarësisht ku e ka familjen! Por familjeve – ju lutem mos i lini jashtë të afërmit tuaj, sidomos tani, shkruan Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka ngritur në të gjithë qytetin disa qendra sociale ku përveç një vakti të ngrohtë, ata marrin edhe të gjithë kujdesin e punonjësve social si dhe nëse është e nevojshme edhe vizitat mjekësore.