Partia Demokratike nuk ndalet së përdoruri fatkeqësinë e tërmetit të 26 Nëntorit 2019, kur sot kandidati për deputet i PD, Belind Këlliçi, publikoi rastin e familjes Buçi nga fshati Picallë, për të cilën pretendoi se është përjashtuar nga procesi i rindërtimit, por edhe se nuk janë ndihmuar nga bashkia për shkak se janë demokratë. Por, e vërteta duket se është ndryshe. Së pari, shtëpia e shfaqur në pamjet e shpërndara sot nga PD-ja ka qenë e braktisur prej vitesh dhe pretendimi se është dëmtuar nga tërmeti nuk është i vërtetë. Ekspertiza e kryer nga ekspertët që në dhjetor 2019, vërteton se banesa ishte e vjetër, e braktisur prej vitesh dhe e amortizuar nga koha.
Së dyti, shtëpia ku rri sot familja Buçi nuk rezulton me dëmtime nga tërmeti i nëntorit 2019. Nuk dihet nëse familja Buçi ka synuar të përdorë PD-në dhe Belind Këlliçin për të mediatizuar rastin dhe përfituar. Ajo që dihet është se Njësia Administrative Petrelë e ka ndihmuar disa herë familjen me ushqime gjatë pandemisë (fotot më poshtë), çka hedh poshtë edhe pretendimin e Këlliçit se nuk është ndihmuar nga bashkia.