Administratori i Milanit, Ivan Gazidis ka dhënë një intervistë të gjatë për Podcast-in e “Sport Illustrated”, ku ka zbuluar edhe sekretet e kuqezinjve, që këtë sezon kanë dalë shumë përtej pritshmërive dhe po luftojnë për titullin kampion. Ish drejtuesi i Arsenalit ka folur me superlativa për gjigantin suedez Zlatan Ibrahimoviç, i cili edhe pse me 39 vite mbi supe, vijon të shënojë shumë e të tërheqë skuadrën me golat dhe lidershipin e tij, ndaj po merret në konsideratë edhe rinovimi i kontratës.
“Ibra është një profesionist i jashtëzakonshëm, me shumë dëshirë dhe seriozitet për punën që bën. Stërvitet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe kjo më bën shumë përshtypje, pasi nuk kam parë asnjë tjetër si ai. Po shënon shumë gola dhe skuadra e ndjek, pasi është një shembull edhe për të rinjtë. Nëse do të ketë këtë formë fizike dhe familja e tij do të jetë dakord, atëherë pse të mos vazhdojë akoma edhe një sezon?”, u shpreh Gazidis.
Stefano Pioli ëstë gjithashtu njëri prej “arkitektëve” të këtij Milani, pasi ka ditur t’u japë kuqezinjve një identitet të qartë loje dhe së fundi skuadra ka treguar se funksionon në perfeksion, pavarësisht se shpesh është përballur me mungesa të shumta. “Pioli erdhi në një moment shumë të vështirë te Milani, ashtu siç u ndodh shpesh trajnerëve, por është një trajner i madh dhe një person fantastik. Ai ka sjellë qetësi, përqendrim dhe modernitet në qasjen ndaj ndeshjes dhe rezultatet po shihen në fushë. Nuk mund të lë pa përmendur as Maldinin, një legjendë në fushën e lojës dikur, që sot po angazhohet maksimalisht bashkë me Massarën, për të bërë më të mirën si drejtues”, deklaroi administratori i Milanit.