Në kushtet e motit të ftohtë me temperatura të ulëta, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, i bën thirrje të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare në zyra postare, të qëndrojnë në shtëpi, për të marrë shërbim, përmes Postës Shqiptare që ofron “Shpërndarjen e pensionit në adresë”.

“Qëndroni në shtëpi dhe merrni shërbimin”- shprehet DenajMinistrja ka sjellë rastin e dy pensionistëve, që në këto ditë të ftohta shkurti, siç thotë ajo, “Lulzimja dhe Shkëlqimi, kanë vendosur që pensionin e tyre ta marrin përmes shërbimit “Shpërndarja e pensionit në adresë”.

Denaj thekson se, postieri e sjell pensionin aty ku ju dëshironi. “Mjafton që ju ose i afërmi juaj të plotësojë një formular aplikimi, pranë zyrës postare ku tërhiqni pensionin”- thekson ministrja. “Shpërndarja e pensionit në adresë” është alternativa e duhur për të mbrojtur pensionistët në këtë situatë të pazakontë pandemie dhe temperaturave të ulëta.

Sipas Postës Shqiptare, shpërndarja e pensioneve në banesë aktualisht kryhet për mbi 500 mijë pensionistë në të gjithë vendin. Ndërsa Posta Shqiptare i ka të gjitha kapacitetet shpërndarëse për të ofruar këtë shërbim me shpejtësi dhe siguri.