Drejtues aktual dhe ata ndër vite të Partisë Socialiste, Bashkisë së Vlorës dhe njësive administrative u bënë bashkë në ceremoninë e promovimit të librit më të ri të sociologut Gëzim Tushi me titull “Pandemia – Asgjë nuk do jetë si më parë”. Tushi është një ndër themeluesit e Partisë Socialiste të Vlorës dhe njëkohësisht ish-kryetari i saj i parë në vitet 1991-1994.

Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli vlerësoi profesor Gëzim Tushin si një personazh me kontribute të mëdha si në fushën e sociologjisë ashtu edhe në atë të politikës.

“Unë të falenderoj me zemër për motivimin që ke gjetur në një situatë të tillë për të shkruar diçka dhe lënë brezave për vazhdimësinë. Kur të gjithë janë duke luftuar me pandeminë, kurajozët marrin një penë shkruajnë dhe japin mesazhet ashtu sikurse Profesor Gëzimi ka sjellë sot për gjithë lexuesit në Shqipëri”, u shpreh Leli.

Profesor Tushi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në ceremoninë e promovimit të librit ndërsa u ndal edhe tek thelbi i mesazhit që ka dashur të përcjellë.

“Faleminderit për fjalët shumë të mëdha dhe emocionuese për mua. Asnjëherë nuk kam emocione për të folur me njerëzit, kam folur politikisht dhe profesionalisht por kur jam me njerëzit e shpirtit siç jeni ju ketu më duket sikur më mbahet goja e nuk artikuloj dot normalisht. Libri është një përpjekje e imja për të bërë një sintezë të përgjithshme të situatës, natyrisht jo duke e parë si mjek. Si sociolog, jam përpjekur të shoh anën tjetër që është po aq e rëndësishme sa ana patologjike. Është e sigurtë se gjithçka do të ndryshojë dhe asgjë nuk do të jetë siç ka qenë më parë. Do të ndryshojë sistemi i vlerave dhe mënyra e sjelljes sonë. Pandemitë kanë ndodhur vazhdimisht, dëmet e pandemive janë të pallogaritshme. Kam besimin se njerëzimi gjithnjë ka triumfuar mbi pandemitë, edhe pse ka sjellë dëme. Jam i sigurtë se edhe ndaj kësaj pandemie ne do të triumfojmë, njerëzit do vazhdojnë të jetojnë jetën e tyre por me module të reja”, nënvizoi Tushi.

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri i uroi suksese profesor Tushit në librin e publikuar ndërsa vlerësoi kontributin e tij edhe në fushën e shkencës.

“Përgëzime për librin. Ke marrë guximin të trajtosh një temë bashkëkohore por edhe e rëndësishme për të parashikuar të ardhmen. Bazuar mbi eksperiencat e shumë shoqërive, Profesori ka arritur që të bëjë një projeksion edhe se si do të reagojë shoqëria jonë ndaj të tillë fenomeni si ky që po kalojmë. Na duhet të ndryshojmë dhe përshtatemi me këtë situatë të re”, theksoi Gjiknuri.

Ai u ndal më tej edhe për fushata e ardhshme zgjedhore dhe roli e kontributi i çdo drejtuesi aktual apo ish drejtuesi socialist për të arritur suksesin e përbashkët.

“Të gjithë ne na lidh një gjë e përbashkët që është Partia Socialiste. Na lidh një e kaluar që nuk mund të hidhet prapa por edhe një e afërme pasi të gjithë ne e ndjejmë veten aty. Na vjen mirë që jemi përgjithësisht të gjithë bashkë, nuk kemi humbur shumë shokë rrugës. Ka dhe ndonjë rast që mungon sot për arsye objektive, dikush mund të jetë sëmurë, dikush e ka patur të pamundur për shkak të kohës së shkurtër por më kanë shkruar mesazhe dhe kanë thënë se me zemër dhe mendje janë këtu. Ne shohim ndryshimet që ka pësuar Vlora, e dimë se sa i rëndësishëm është një mandat tjetër për Partinë Socialiste. Jo thjesht një mandat i tretë në vetvete se nuk është qëllimi për të thyer ndonjë rekord, por mendoj se ky tren i nisur, pra kjo Vlorë që po ndryshon nuk mund të ndalet në këto momente. Përballë kemi një alternativë që kërkon ta çojë Vlorën mbrapa dhe ne të gjithë e dime se çdo të thotë ndryshim i pushtetit, ndryshim i qeverisjes dhe qasja e tyre ndaj Vlorës e vlonjatëve”, insistoi Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri u shpreh se asnjëherë nuk duhet që për shkak të ndonjë qejfmbetjeje të humbet fokusi nga objektivi kryesor.

“Ne jemi parti e madhe, jemi të bashkuar dhe këtë mesazh duhet tua përçojmë të tjerëve. Këtu është zemra e Partisë Socialiste të Vlorës pavarësisht gjeneratave që janë. Ju keni kaluar barrën që nga viti 1991 e deri më tani, keni parë kohëra të vështira, keni parë dhe momente të mira. Keni patur edhe zhgënjime por në fund të fundit nuk ka më mirë se të jesh i rrethuar nga shokë e miq pasi vetëm ashtu mund të kalohet më lehtë çdo sfidë”, vlerësoi Gjiknuri.