Lulzim Basha ka zbuluar gjatë takimit me një çift të ri, bishtat e programit elektoral të PD-së, të cilin e prezantoi me shumë bujë javën e shkuar. Në atë takim, pra të javës së shkuar, kreu i PD-së tha se PD do t’u pagujë çifteve të reja që ngrenë familjet, interesat e kredive bankare. Një masë realisht e padëgjuar më parë, si një mbështetje shtetërore, pasi zakonisht shteti, ose ndërton banesa sociale, ose mbështet financiarisht blerjen e shtëpive, apo pagesën e qirave. Ka disa modele në Perëndim, në politikat e strehimit, por baza është e ashququajtura “Council Houses”, ku bashkitë ndërmarrin programe mbështetje strehimi, ku ndihmojnë familjet e reja.
Në vendet e fuqishme perëndimore si Gjermani, Francë Belgjikë etj, shteti jep një ndihmë direkte që familjet të paguajnë qiranë në formë çeqesh bankare. E këtë e kanë provuar mjaft nga emigrantët tanë. Lulzim Basha, i cili ka marrë përsipër që të mbështesë me program familjet e reja, nuk zgjodhi as ndërtimin e banesave për ta, as pagesën e qirave, apo edhe mbështetjen e një pjese, ose të gjithë shumës, por dha një model “origjinal”. E atë nuk e bëri publik në konferencën e madhe të programit, ku “hapi thesin” e parave që do shpërndante pa kursim, por në një takim që natyrisht është i kuruar me një çift të ri. E në këtë takim, Basha nxorri nga goja “xhevahirin” më të padëgjuar në historinë politike të premtimeve parazgjedhore. “Ne”, tha “do të përzgjedhim 5 mijë familje që do t’u paguajmë interesat e kredisë, jo të gjitha, se ju e kuptoni, nuk mundemi…”.
Tani, në vetvete, formula e pagesës së interesave të fajdes, ngjan pak si piramidë, imagjino atë që Basha e quan përzgjedhje të kampionit të 5 mijë familjeve. Si do ta bëjë “kryeministri” i ri këtë përzgjedhje: me short, me gogla, apo sipas kërkesave që i vijnë nga seksionet e PD-së? Këtë formulë Basha nuk e tha, por bingoja e lotarisë e premtimit të përzgjedhjes së 5000 çifteve të reja hap një dilemë të madhe. Nga do të përzgjidhen këto çifte: Tirana-bashki, Tirana periferi, pra Kamëz e Paskuqan, ku dhe është numri më i madh i familjeve të reja të përqëndruara, ngaqë edhe mundësia për të gjetur punë është më e madhe, apo do të bëjë një ndarje ta themi: “sa më të barabartë” ndërmjet 61 bashkive?
Një dilemë e madhe? Dhe ja e gjeti nga sociologët e PD-së një kampion përfaqësues, ku do të marrë databazën? Nga gjendja civile, aplikimi? Ja e gjeti edhe listën e të gjithë familjeve të reja për vitin që Basha do ta marrë përsipër ta zbatojë këtë politikë, pas “negociatave me bankat” që të falin fitimet për 5 mijë subjekte. Do t’i fusë këto emra në një glob të madh me 5 mijë gogla e t’i përzgjedhë te Fevziu apo Adi Krasta? Një bingo kombëtare numrash, ku mijëra familje si në telebingo janë të ngulitur në television, së bashku me fëmijët për t’u lutur që të bjerë lotaria e Lulit. Vetëm ta mendosh është një situatë surreale, e paimagjinueshme dhe e ngjashme për një “black comedy” alla Martin Scorcese.
Ku drama të ethshme e të frikshme farkëtohen në ankthin që kryeministri i ri ka prodhuar, kushedi nga truri i kujt, që mund të gjente një zgjidhje më të thjeshtë e më të pakomplikuar, të bazuar në kritere që edhe mund të hartohen paraprakisht. Fjala bie; përfitojnë ata që kanë aksh nivel të ardhurash, ata që kanë fëmijë e jetojnë së bashku me prindërit në një dhomë e kuzhinë, apo ata familje që nuk arrijnë dot mundësitë që të paguajnë një kredi tregtare që mesatarisht kap shifrën e 300 eurove.Por jo, Luli ka zgjedhur lotarinë, goglat, pasi kujton se goglat në vetvete japin një efekt ethesh, pasi në fund të fundit e njeh mirë logjikën e skemave piramidale që kanë luajtur me këto ethe.
Që natyrisht do të prodhojnë skemat paralele të spekulimit: doni që gogla juaj të ruhet në frigorifer e që të dalë sa më shpejt sipër? Paguani! Fantazia në këtë aspekt është e pashfrenuar, por prapë gogla mbeten… TemA