Champions League është objektivi i madh i Manchester City dhe Pep Guardiolës. Klubi anglez nuk e ka fituar kurrë kupën me veshë të mëdhenj dhe ky shihet si sezoni i duhur për të “pushtuar” futbollin evropian.

“Cityzens” po kalojnë një formë të mrekullueshme dhe ndaj Arsenalit në Londër (0-1) arritën fitoren e 18-të radhazi në të gjithë kompeticionet. Fitimi i Premier League është formalitet (+10 pikë ndaj vendi i dytë).

Ndërkohë, M’Gladbach është pengesa për të siguruar një biletë në çerekfinalet e Champions League. Dueli i parë do të luhet të mërkurën në mbrëmje në Budapest të Hungarisë. Louis Van Gaal, ish-trajneri i famshëm holandez, është ndalur te City dhe Guardiola në prononcimin e dhënë për Mundo Deportivo.

“Pep e sheh fitimin e Champions League si objektivin e tij të madh, si trofeun më të madh që mund të fitojë me Manchester City. E ka fituar dy herë me Barcelonën, por dëshiron të tregojë se është i aftë ta fitojë edhe me një tjetër skuadër.

Mos të harrojmë që ky mbetet një objektiv i kahershëm edhe i klubit anglez. City ka shumë nevojë të triumfojë për herë të parë në histori në këtë kompeticion. Një gjë që po e ndihmon shumë Pep është fakti që ka rivlerësuar parimet e tij ofensive.

Ai ka braktisur parimin e tij dogmatik për të luajtur gjithmonë futboll dhe ka përforcuar ekipin në mbrojtje. U bënë disa ndeshje që City nuk pëson gol. Trajneri ka ndryshuar lëvizjet e lojtarëve të krahut dhe qendrave.

Kjo është hileja e tij e re. Ai vendosi të ndryshojë gjërat në lidhje me vizionin e tij dhe stilin e tij të futbollit. E përmenda një gjë të tillë në librin tim, por ai u tërbua. Gjithsesi, duket sikur ka bërë diçka pas këshillave të mia“, përfundon Van Gaal.