Midis shumë pikave të errëta të zbuluara gjatë hetimit që Report Tv po zhvillon mbi procedurën e privatizimit të 26,000 metra katrorë të ish-Kompleksit Partizani që Sali Berisha në 2009 ia ka dhënë dhëndrit të tij Jamarber Malltezi dhe një grupi ish pronarësh të pretenduar, një nga fakt më skandalozët është një inspektim që Sali Berisha urdhëroi kundër Gjeneralit Vladimir Qirjazi, atëherë komandanti i Komandës Mbështetëse, i cili refuzoi të nënshkruajë kontratën e shitjes të cilën ai e konsideroi të paligjshme. Inspektimi iu besua Departamentit Antikorrupsion të kryeministrisë në atë kohë i kryesuar nga Oerd Bylykbashi, i cili sot paraqitet në krah të Lulzim Bashës si pjesa më e re dhe e shëndetshme e partisë.

Në fakt, një nga dy inspektorët e emëruar nga Oerd Bylykbashi për ta kryqëzuar gjeneralin e ndershëm ishte pikërisht një nga ish-pronarët. Pra, inspektimi qeveritar mbi procedurën e privatizimit, realizohet nga një zyrtar që do të përfitonte nga privatizimi. Siç mund të shihet nga ky dokument i nënshkruar nga Bylykbashi, një nga dy inspektorët quhet Ilir Kadiu. Ilir Kadiu atëherë 32 vjeçar me origjinë nga Durrësi, është njëkohësisht një nga 27 trashëgimtarët e familjes Begeja që bashkë me Jamarber Malltezin duhet të përfitojë nga privatizimi i kompleksit sportiv.

Ilir Kadiu u emërua inspektor pranë kryeministrisë në datën 10.1.2008, pikërisht në kulmin e procedurave të privatizimit, dhe ka qëndruar në detyrë deri në ndryshimin e qeverisë, në vitin 2013. Qe është i njëjti person, duket se nuk ka dyshim duke krahasuar këto dy nënshkrime: në dokumentin A kemi nënshkrimin që Ilir Kadiu vendos në raportin e tij të datës 24 Prill 2009 pas inspektimit të kryer në Komandën e Mbështetëse dhe me të cilin, si inspektor i antikorrupsionit të Këshillit të Ministrave, arrin ne konkluzione që ‘’moskryerja e veprimeve të mësipërme në tejkalimin e afateve të parashikuara në aktet ligjiore dhe nënligjore përkatëse, ngarkon me përgjegjësi drejtuesin e komandës mbështetëse, z. Vladimir Qirjazi’’.

Dokumenti A është nënshkrimi i prokurës së posaçme me të cilin Ilir Kadiu si ish-pronar dhe përfitues i pronës te ish-kompleksi Partizani, delegon Jamarber Malltezin për ta përfaqësuar atë, duke i premtuar 5% të truallit të tij në rast të privatizimit. Pra Ilir Kadiu nuk vepronte vetëm për vete, por edhe për të garantuar një pjesë të pronës që duhet t’ja dhuronte pastaj Jamarber Malltezit si ”shpërblim”.

Report Tv kërkoi një ekspertizë kriminalistike mbi dy nënshkrimet, pa dhënë asnjë detaj mbi temën e investigimit, dhe konkluzioni i ekspertit që ka studiuar dy dokumentet, nuk lë hapësirë për asnjë dyshim: Ai konfirmon që ‘’Nënshkrimet në emër të shtetasit Ilir Kadiu, objekte të ekzaminimit të emërtuara nënshkrimet e grupimit A dhe nënshkrimet e grupimit B, janë të shkruara nga i njëjti person’’.

Në maj 2009, sapo ka marrë në dorë konkluzionet ”e pavarura” të arritura nga Inspektori Ilir Kadiu, drejtori i departamenteve të kontrollit antikorrupsion në Këshillin e Ministrave, Oerd Bylykbashi, dërgon një shkresë zyrtare te Ministria e Mbrojtjes me të cilat akuzon gjeneral Vladimir Qirajzin për një seri shkeljesh, e kërcënon për një pagesë të mundshme të dëmeve të shkaktuara buxheti i Shtetit, urdhëron Ministrinë për të nënshkruar kontratën për shitjen e Kompleksit Partizani “brenda 5 ditësh” në favor të Jamarber Malltezit dhe trashëgimtarëve të tjerë dhe gjithashtu urdhëron masa të menjëhershme disiplinore ndaj Gjeneralit Vladimir Qirjazi.

Gjenerali Qirjazi u transferua nga komanda dhe në vend të tij u emërua Xhemal Gjunkshi që brenda 34 ditësh firmosi pa hezitim dhe pa asnjë kontroll transferimin e Kompleksit Partizani tek Jamarber Malltezi dhe trashëgimtarët e tjerë. Në 2011 Berisha dhe ministri i mbrojtjes Arben Imami dëbuan nga forcat e armatosura gjeneralin e ndershëm Vladimir Qirjazi, ndërsa Xhemal Gjunkshi, pasi u emërua Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, arriti deri në Kuvend si deputet i Partisë Demokratike.

Marrë nga Shqiptarja.com