Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme në kantierin ku po ndërtohet Lungomare 2 në Vlorë. Ai shprehet se ajo do të jetë një nga shëtitoret më të mëdha dhe se do të vijojë edhe më tej në zonën e Orikumit.
“Kjo është vazhdimi i një ngjitjeje. Është një fuqizim ekonomik i vazhdueshëm. Shumëkush thotë se Riolindja urbane është fasadë, por është fakt. Mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur me pasuritë e vlonjatëve që janë shumëfishuar në vlerë. Mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur me biznesin. Është diçka e mirënjohur. Kjo që po shohim këtu, ka nisur dhe do vijojë deri në Orikum. Do kemi shëtitoren më të madhe në vijën e mesdheut. Rritja e vlerës së pronave lidhet me punën dhe kjo lidhet me mandatin. Nuk është qëllimi mandati, por është mjeti për të arritur qëllimin. Kanë qenë në gjumë kur është bërë 6%. Këtu jemi në vijën bregdetare të qytetit, por është e gjithë zona duke përfshirë dhe labërinë. Ajo çka unë kam jetuar me Vlorën më ka bërë më të ndjeshëm karshi potencialit dhe kujtimeve. Vlora ka një potencial, është krijuar për të qenë një nga organet më esenciale të vendit tonë” – tha Rama.
Rama thotë se do që të lërë gjurmë në historinë e qytetit të Vlorës. Ai shprehet se kur djali i tij Zaho të rritet, dhe kryeministri të mos jetë më, të ketë një kujtim nga i ati në qytetin e Vlorës.
“Më kujtohet kur isha i vogël dhe vinim në Vlorë, vinim me linjën tren deri në Fier dhe pastaj me autobus në Vlorë. Bënim rrugën e bulevardit ku ishin palmat. Më kujtohet thënia e mamasë time, për palmat e Krito Papajanit. Besoj e kam lënë emrin për Zahon kur të vijë dhe kur të jetë në një moshë kur unë mos të jem më. Kujtimi i mirë është një nga motivet bazë që mua ma bëjnë politikën pasion dhe nevojë për të qenë për njerëz” – tha Rama.