Nëse Interi është përsëri në epërsi dhe po përjeton një moment të artë në kampionat, merita i detyrohet gjithashtu Lautaro Martinez, i cili ka rritur nivelin e tij të lojës dhe është bërë një nga protagonistët absolutë të ekipit zikaltër. Sulmuesi argjentinas foli për momentin kur sezoni ka ndryshuar, në faqet e “Gazzetta dello Sport”:

“Është fryt i asaj që bëjmë me trajnerin tonë. Siç thotë trajneri, ne punojmë për ta forcuar sa më shumë Interin, për ta ngjitur në vendin më të lartë të mundshëm një ditë. Sot jemi me të vërtetë një ekip tjetër, më kompakt, ku secili prej nesh lufton si i pari. Luajmë për shokun e skuadrës dhe më pas për veten. Gjëja e ndryshme është se ne u eleminuam nga Champions-i. Në atë moment i thamë vetes se në vazhdim do të mbetej vetëm një objektiv, titulli në Serie A. Duhet ta fitojmë, që të shpëtojmë sezonin”.

Dhe nëse e ardhmja e afërt quhet “Scudetto”, ajo më e largëta quhet Inter. Sepse Martinez ka të gjitha synimet për të vazhduar me zikaltrit, pasi qe afër Barcelonës: “Është e vërtetë, ne po punonim me Barcelonën. Unë nuk e di se sa afër isha me atë klub, por me Conte isha shumë i qartë. Unë i thashë trajnerit: Mendja ime është këtu, është një premtim, nuk e lë veten time të ndikohem. Ajo pistë tani është e kaluara, do të rinovoj me Interin. Drejtuesit do të gjejnë kohën për këtë, ndërkohë që unë luaj. Por, e ardhmja ime është këtu. E shoh veten në Milano për një kohë të gjatë, më pëlqen gjithçka rreth këtij qyteti”.

Merita e përmirësimit si lojtar e “Toro” shkon mbi të gjitha tek Antonio Conte. Argjentinasi tregon për një bisedë të gjatë me trajnerin, që shkaktoi diçka tek ai: “Conte më ndryshoi mendje. Një ditë më mbylli në zyrën e tij dhe ne biseduam për pak kohë, për gjithçka. Nga ai moment bëra një hap përpara, karriera ime ndryshoi”. Ka gjithashtu hapësirë ​​për të folur në lidhje me Achraf Hakimi, shoku i tij brenda dhe jashtë fushës. Lautaro ‘kontribuoi’ në një farë mënyre për ta sjellë te zikaltrit verën e kaluar:

“Gjatë një ndeshjeje Marok-Argjentinë dëgjova emrin tim në spanjisht. U ktheva, ishte ai, nuk kishim folur kurrë më parë. Hakimi më thotë se e njihte Borja Valero, i cili luajti me ekipin tonë. Pastaj u gjetëm në ndeshjen Borussia-Inter. Ai gjithmonë më pyeste për Interin… Më tha se do të dëshironte të luante me ne. Dhe në fakt, kështu ndodhi…”