Vonesat nuk do të prekin vetëm Italinë, por të gjithë Europën dhe në fakt të gjithë botën duke pasur parasysh që kontratat e furnizimit nënshkruhen në nivel europian dhe problemet e prodhimit kanë çuar në shkurtime dhe vonesa për të gjithë, deklaroi në një intervistë zëvendësministri italian i Shëndetësisë, Pierpaolo Sileri, sipas ilpost.it. Gjatë kësaj interviste Sileri shtoi se ”problemet në shpërndarjen e vaksinave Pfizer duhet të shkaktojnë një vonesë prej rreth katër javësh në fillimin e fushatës së vaksinimit për personat mbi 80 vjeç dhe gjashtë ose tetë javë për pjesën tjetër të popullsisë”. Sileri shpjegoi më pas se ”vonesat nuk do të prekin vetëm Italinë, por të gjithë Europën dhe në fakt të gjithë botën, duke pasur parasysh që kontratat e furnizimit nënshkruhen në nivel europian dhe problemet e prodhimit kanë çuar në shkurtime dhe vonesa për të gjithë.
Javën e kaluar, Italia mori 29% më pak të dozave të saj të planifikuara dhe këtë javë duhet të marrë 20% më pak.
Vonesës së Pfizer më pas iu bashkua edhe ajo e AstraZeneca, kompania farmaceutike që së bashku me Universitetin e Oksfordit kanë krijuar një nga vaksinat më të lira dhe më të lehta për t’u kryer. Vaksina AstraZeneca nga të cilat Bashkimi Europian tashmë ka blerë 300 milionë doza, u miratua nga blloku me 27 anëtarë, por pavarësisht nga kjo, kompania ka thënë se do të japë shumë më pak doza sesa u ra dakord për tremujorin e parë të 2021. Nga marsi 2021, fillimisht ishte planifikuar shpërndarja e 80 milionë dozave në Bashkimin Europian, por vonesat në miratimin e vaksinës dhe vonesat e prodhimit të njoftuara kohët e fundit do të bëjnë që ky numër të bjerë ndjeshëm.