Ekonomia e tretë e botës, Japonia nuk e ka filluar ende procesin e vaksinimit kundër Covid-19. Kryeministri japonez Yoshihide Suga tha se qeveria synon ta nisë fushatën e vaksinimeve antiCOVID-19 për punonjësit shëndetësorë pas mesit të shkurtit, mes të kritikave të ashpra për një përgjigje të ngadaltë pandemike, sipas agjencisë së lajmeve Kyodo News.

Njoftimi i kryeministrit japonez, vjen ndërkohë që në vend është zgjatur gjendja e jashtëzakonshme, në një përpjekje për të vënë nën kontroll pandeminë. “Një panel i Ministrisë së Shëndetësisë mund të miratojë vaksinën e kompanisë “Pfizer“ më 12 shkurt”, tha një zyrtar pranë çështjes.

Grupi i parë i dozave do të mbërrijë nga Belgjika në Japoni më 14 shkurt, me miratimin përfundimtar për vaksinën që pritet të vijë të nesërmen. Suga është zotuar të sigurojë vaksina për të gjithë popullsinë e Japonisë prej 126 milionë banorësh, megjithëse pranoi në një konferencë shtypi se vendi ka mbetur prapa vendeve të tjera në administrimin e vaksinave.

”Një ndalim i eksporteve të vaksinave antiCovid-19 nga vendet e BE mund të bllokojë furnizimet në Japoni dhe mund të ketë pasoja globale”, deklaroi para pak ditësh edhe ministri i Reformës Administrative Japoneze, Taro Kono, i cili është përgjegjës për nisjen e vaksinimit në vendin e tij.

“Jam shumë i shqetësuar që disa qeveri mund të përpiqen të jenë më nacionaliste”, tha ai në një debat në internet nga Forumi Ekonomik Botëror, duke iu referuar një propozimi nga Komisioni Europian. “Është e kuptueshme të vendosësh njerëzit tuaj në radhë të parë, por ne jetojmë në të njëjtin planet dhe zinxhirët e furnizimit tani janë globalë”, shtoi ai.

”Japonia ka plane për të importuar vaksina të prodhuara në Bashkimin Europian si dhe vaksina të bëra në SHBA që janë të paketuara në BE”, sipas Kono. “Nuk është e mençur të fillosh të prishësh këtë zinxhir global të furnizimit”, tha ministri duke paralajmëruar se “kjo mund të çojë në një lloj hakmarrjeje”.