Pas afro tre dekadash, që prej kohës së themelimit të Amazon (së bashku me ish- gruan e tij), Jeff Bezos ka vendosur të tërhiqet nga posti i shefit ekzekutiv (CEO), të një prej kompanive më gjigante dhe fitimpurëse në botë, e cila momentalisht shënon një vlerë prej 1.7 trilionë dollarë.
Ditën e djeshme, përmes një letre drejtuar 1.3 milionë punonjësve të tij, 57-vjeçari u bëri me dije se një lëvizje e tillë nuk nënkupton kurrsesi se ai po del në pensioni, por veçse dëshiron të përqëndrohet te pasionet personale, që përfshijnë hapësirën dhe problematikat e ndryshimeve klimatike. Ai do të zëvendësohet nga 53-vjeçari Andy Jassy, CEO i tanishëm i perandorisë Amazon Amazon Business Services (AWS).
Së shpejti, saktësisht në tremujorin e tretë të vitit, detyra e re e Bezos-it do të jetë ajo e kryetarit ekzekutiv, pra kreu i bordit të drejtuesve. Sipas tij, diçka e tillë do t’i falë kohën e duhur që të përqendrohet në “produkte dhe iniciativa të reja”.
“Nuk di kompani tjetër me një historik kaq të jashtëzakonshëm sa Amazon dhe besoj se jemi në momentin më krijues. Shpresoj të jeni po aq krenar për krijimtarinë tonë, sa edhe unë. Duhet të jeni. Miliona klientë varen nga shërbimet tona dhe më shumë se një milion të punësuar paguhen nga ne. Të jesh CEO i “Amazon” është një përgjegjësi e thellë dhe konsumuese. Kur ke një përgjegjësi të tillë, është e vështirë të përqendrohesh diku tjetër. Si kryetar ekzekutiv, unë do të qëndroj i angazhuar në iniciativa të rëndësishme të Amazon, por gjithashtu do të kem kohën dhe energjinë e nevojshme për t’u përqëndruar në Blue Origin, Washington Post dhe pasionet e mia të tjera. Unë kurrë nuk kam pasur më shumë energji. Jam shumë i dhënë pas ndikimit që mendoj se mund të kenë këto organizata. Unë e shoh punën time domethënëse dhe argëtuese. Punj me skuadrën më të zgjuar, më të talentuar. Kur kohët kanë qenë të arta, ju keni qenë modestë. Kur kohët kanë qenë të vështira, ju keni qenë mbështetës dhe ne e kemi bërë njëri-tjetrin të qeshë. Është një gëzim të punosh në këtë ekip”, shkroi Bezos ndër të tjera.
Në fund letra mbyllet: “Vazhdoni të shpikni/krijoni dhe mos u trishtoni kur në fillim idea tingëllon e çmendur. Le të jetë kurioziteti busulla juaj”.