Humbja e Juventusit mbrëmjen e djeshme në Champions League kundër Portos nuk mund të kalonte pa disa analiza nga figura të njohura të vendit fqinj. Fabio Capello, Alessandro Del Piero dhe Antonio Cassano komentuan se përse erdhi një disfatë e tillë përballë portugezëve.

FABIO CAPELLO – “Hyrja në fushë pa përqëndrim është e papranueshme dhe lojtarët kishin mungesë serioziteti. Bentacur bëri një gabim të madh në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë tetë juventinë nuk i bënë dot ballë tre lojtarëve të Portos. Kjo nuk mund të ndodhë”, deklaron italiani.

DEL PIERO – “Juventusit i munguan idetë. Chiesa dhe Kulusevski u kthenin shumë mbrapa për të marrë topin. Roli i Moratës po mungonte dhe kur ai hyri loja mori një tjetër rrjedhë. Duhet ta pranojmë se Porto luajti lojën e saj dhe gjithçka shkoi shumë mirë për ta”, u shpreh ish-kapiteni i bardhezinjve.

ANTONIO CASSANO – “E kam thënë gjithmonë se CR7 është një fenomen dhe ka shënuar biliona gola, por do të jetë e vështirë për të me idetë e Pirlos për futbollin. Ronaldo është nga ata lojtarë që jetojnë për të shënuar dhe nuk i intereson nëse të tjerët shënojnë. Juventus po përpiqet që të ndryshojë stilin e lojës për t’iu përshtatur Cristianos, por kjo nuk po funksionon”, shprehet italiani.