Kryeministri Edi Rama ka folur sërish me tone të ashpra ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, teksa i ka cilësuar ata si një “kastë”, që ka faje shumë më të rënda se politikanët. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Elbasan, Rama është shprehur se “Nëse kjo kastë nuk do ta kishte mbytur drejtësinë dhe ta kthente atë në një mall që blihet e shitet, edhe politikanët do të kishin qenë shumë më të përmbajtur e të përgjegjshëm”. Më tej, kryeministri u ndal dhe te gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, e arrestuar dhe pezulluar nga detyra për korrupsion, duke thënë se “Ne sot nuk do të kishim një gjykatës si ajo gjykatësja e papërshkueshme, se unë nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar, që ditën me diell, në kundërshtim me ligjin, jep vendime lirimi për individë që kanë pasur dën ime eks treme”.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Te drejtësia kemi arsye të jemi kryelartë, pavarësisht se disa njerëz e kanë padurimin shumë të madh dhe nuk arrijnë të fokusohen për të parë se ajo që kemi bërë ne në këto vite për të pasur një drejtësi funksionale është historike. Është gjëja që mbase vlerësohet shumë herë më pak se ç’vlen në të vërtetë. Rezultatet e kërkuara nuk janë ende qartësisht të dukshme, por po çlirohemi nga dhu na e ftohtë dhe e heshtur por shumë dëmtuese e një kaste gjykatësish dhe prokurorësh, që asnjëherë nuk kanë qenë në fokusin e reflektorëve të medias apo opinionit publik, sepse kanë qenë mbi të gjithë.
Nëse politikanët janë bërë objekt bisede e sulmesh 30 vjet rresht, kjo kastë, që ka qëndruar jashtë valës së sulmeve, në raport me Shqipërinë ka përgjegjësi e faje shumë të rënda se politikanët. Nëse kjo kastë nuk do ta kishte mbytur drejtësinë dhe ta kthente atë në një mall që blihet e shitet, edhe politikanët do të kishin qenë shumë më të përmbajtur e të përgjegjshëm. Mungesa e një drejtësie që mban të palëkundur gurin themeltar, ka bërë që ne të vuajmë shumë në të gjitha aspektet dhe pasojat të jenë te më të dobëtit.
Jemi të gjithë dëshmitarë se sa shumë burra të denoncuar për dhunë janë liruar nga gjykatat dhe janë fajësuar gratë. Ose në shumë raste dhunuesit pasi janë dhunuar, kanë ridhunuar. Procesi i pastrimit të llumit nga sistemi i drejtësisë është jo i lehtë. Ata që kërkojnë me të drejtë shtet të së drejtës duhet të vetëdijësohen se nuk është një proces që mund të mbyllet në 1 apo 2 mandate, është e pamundur.
Në mandatin e tretë ne do të finalizojmë disa procese të nisura prej vitesh, që kërkojnë kohën e tyre.