Këtë vit kompania SpaceX do të dërgojë katër civilë në hapësirë. Ky do të jetë “misioni i parë komercial në hapësirë”. Anija kozmike e kompanisë do të komandohet nga Jared Isaacman, themeluesi dhe shef ekzekutiv i kompanisë private të përpunimit të pagesave Shift4 Payments, tha SpaceX në një njoftim për media, më 2 shkurt. Biznesmeni miliarder amerikan do të dhurojë tre vende në kapsulën SpaceX Dragon për qytetarë të tjerë. Siç thuhet ata “do të zgjidhen për të përfaqësuar shtyllat e misionit të lidershipit, shpresës, bujarisë dhe prosperitetit”.
Biznesmeni, Isaacman tha se ai ka për qëllim të përdorë udhëtimin privat për të mbledhur 200 milionë dollarë për St. Jude Children’s Research Hospital. Ky institucion shëndetësor trajton kancerin dhe sëmundjet pediatrike. Space X njoftoi se ekuipazhi do të niset në orbitën e Tokës diku në tremujorin e katërt të këtij viti nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida.
Para se të realizohet misioni, SpaceX do të ofrojë për udhëtarët trajnim astronaut si dhe të gatishmërisë emergjente, shkruan Rel. Kur misioni përfundon udhëtimin në hapësirë, anija hapësinore do të hyjë përsëri në atmosferën e Tokës, duke bërë një ulje në brigjet e Floridas, tha kompania.