Nisi sot pyllëzimi i zonës së mbrojtur Vjosë Nartë, ku sipas Ministri të Turizmit, Blendi Klosi do mbillen gjithsej 10 800 pemë, ndërsa garantoi se Aeroporti i Vlorës nuk do ta cenojë mjedisin. “Mbrojtja përfundimtare e Lumit të Vlorës si Park Kombëtar me të gjithë vlerat që ai ka, me të gjithë ato të mirat që ai afron dhe natyrisht vazhdimi siç ka qenë Aeroporti i Vlorës një zonë, një njollë që ka qenë aeroporti historik dhe nuk ka një investim të ri, nuk ka një ndërtim të ri por është në mënyrën se si do të zhvillohet ai aeroport padyshim do të përkohet që në Projektin Studimor përsa i përket mjedisit të jetë një zonë e cila të respektojë rregullat, të jetë një zonë e cila në mënyrën se si do të funksionojë nuk është një gjë e re, është një investim i cili ka qenë, do të zhvillohet dhe do të prodhojë shumë të ardhura, mirëqënie edhe shumë të mira për vet komunitetin e kësaj zone dhe natyrisht për gjithë Shqipërinë”, tha Ministri Klosi.
Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli tha se pylli i Sodës shumë shpejt do të kthehet në një park rekreativ për banorët dhe vizitorët e qytetit. “Për interesimin tuaj për sa i përket pjesës së Pyllit të Sodës, ajo që dua t’u them është që fal një projekti të financuar dhe të mbështetur nga JACA Bashkia Vlorës ka konkurruar në bashkëpunim me Bashkinë e Milanos dhe do të kemi një projekt të cilin ne e kemi fituar tashmë dhe do të fillojmë në muajt në vazhdim për reabilitimin e hapësirave të dëmtuara në Pyllin e Sodës në ato që janë pjesë e Bashkisë së Vlorës për të krijuar një park kurativ për banorët e këtij qyteti dhe mbi të gjitha për ata që ne duam të vizitojnë qytetin në muajt në vazhdim pavarësisht pandemisë që shpresojmë që të jetë një gjë kalimtare”, tha Leli.
Pjesë e lancimit për mbjelljen e pemëve ishte edhe Deputeti i zonës Damian Gjiknuri. Pemët do mbillen në të gjitha zonat e dëmtuara dhe shpyllëzuara të Vlorës.