917 qytetarë janë ndëshkuar me gjobë gjatë 24 orëve të fundit, pasi janë identifikuar duke shkeluar masat anti Covid.

Njoftimi i policisë: Nuk zbatuan masat anticovid, ndëshkohen me masë administrative 917 qytetarë, 906 prej tyre për mosmbajtjen e maskës mbrojtëse. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 770 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 136 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, administratorin e një subjekti që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 10 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00. Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.