KQZ nisi me testimin e teknologjisë në zgjedhje. Ky testim po kryhet ne prezencën e përfaqësuesve të partive politike, atyre të OSBE dhe përfaqësuesve të ambasadave, KQZ demostroi përdorimin e pajisjeve për identifikimin elektronik të zgjedhësve. Fillimisht kryhet kolaudimi e më pas vuloset. Janë komisionerët e qendrës së votimit që heqin vulat e mandej nisin përdorimin. Pas ndezjes së pajisjes vendoset numri qendrës së votimit. Kryetari dhe sekretari verifikojnë numrin e qendrës së votimit dhe atë të votuesve. Më pas merret vendimi për hapjen e qendrës së votimit.
Hapet pajisja dhe printohet proces verbali me numrin e votuesve që në start është zero. Më pas skanohet karta dhe del informacioni votuesit. Pajisja shfaq foto e votuesit të dhënat. Votuesi vendos shenjën e gishtit e më pas nga pajisja printohet proces verbali që e mban komisioni e më pas votuesi i drejtohet kutisë së votimit. Nëse një votues paraqitet për herë të dyte për te votuar momentin kur futet karta e identitetit pajisja lëshon një alarm. Në rastet kur karta e identitetit është e dëmtuar dhe nuk e lexon pajisja atëherë numri futet manualisht.
Gjatë fjalës së tij kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se pajisja identifikon qytetarin në 1 minutë dhe se kjo do të shmang votimin e dyfishtë, një nga shqetësimet që është ngritur shpesh si problem në zgjedhjet e kaluara. “Prezantimi i parë shkoi mirë, ajo që bën përshtypje koha e shkurtër për te identifikuar votuesin. Një minutë e pak sekonda. Pajisja e verifikon qartë votimin me kartë të falsifikuar apo tentativën për të votuar dy herë, është pjesë e kësaj qendre votimi apo jo. Ai që tenton ta bëjë votimin dy herë, apo me kartë të falsifikuar identifikohet lehtësisht. Demonstrimi i sotëm ishte paraprak për të shuar kuriozitetin dhe ishte një mundësi se kjo pajisje funksionon. Për sa i përket votimit dhe numërimit elektronik, me shumë mundësi do të jetë qendra e votimit në njësinë nr 8 në Tiranë” tha Celibashi.