Në një postim në rrjetet sociale kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ka bërë me dije se ka mirëpritur delegacionin turk, pjesë e të cilit ka qenë dhe ministri i Bujqësisë së Turqisë.
Ai tregon për tematikat që u diskutuan ku nga më të rëndësishmet është projekti për sistemimin e argjinaturës së kumit Erzen dhe projektet për pyjet.
Arbana shprehet në postimin e tij:
“Pata kënaqësinë dhe nderin të mirëpres në Shijak delegacionin e ardhur nga Ministria e Bujqësisë së Turqisë, ku ishte i pranishëm vetë ministri i Bujqësisë.
Ky takim erdhi nga nevoja që ka bashkia jonë si e prekur nga tërmeti dhe problematika e përmbytjeve si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Erzen.
Tematikat që u diskutuan janë:
Projekti që ka bërë stafi i bashkisë për ngritjen e argjinaturës së lumit Erzen, pastrimin dhe thellimin e tij. U diskutua për dhurimin e disa makinerive për mirëmbajtjen e shtratit të lumit.
Projektet afatgjatë për administrimin dhe mirëmbajtjen e pyjeve, pyllëzimin e zonave të zhveshura me pemë të përshtatshme për këto zona.
Administrimin dhe rregullimin e pyjeve aktuale.
Administrimin e ujrave të shiut në pishina dhe vaditjen në kohë thatësirash për pyjet.
Administrimin e liqeneve që janë në fshatrat e Shijakut për t’i kthyer në pika turistike dhe agroturizëm falë investimeve të shtetit mik të Turqisë.
Jam falenderues ndaj Ministrit të Bujqësisë së Turqisë për këtë takim si një urë bashkëpunimi dhe ndihme ndaj Shijakut.
Jam falenderues ndaj Kryeministrit Rama dhe Qeverisë shqiptare për mbështetjen në rindërtimin e qytetit tonë.
Ku ka vullnet, ka zgjidhje!