Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj vizituan lagjen e re e cila po ndërtohet në Ndroq për familjet që humbën shtëpitë në tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019. Punimet për ngritjen e 74 banesave kolektive të parashikuara në këtë zonë kanë ecur me ritme intensive dhe aktualisht 23 banesa janë drejt përfundimit. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se në këtë kompleks të ri rezidencial, parashikuar me të gjitha shërbimet publike dhe një infrastrukturë model, do të zhvendosen familjet që ndodhen në skajet më të largëta të fshatit.
“Është një komples i ndarë në 2 lote. Fillimisht janë bërë 23 inkubaturat e para. Në total kompleksi do jetë me 74 shtëpi. Janë të gjitha familje që vijnë nga zona shumë të largëta. Disa nga shtëpitë që transferohen janë rreth 17 km nga rruga kryesore. Duke qenë se është një kompleks i madh, që shkon deri në 350 banorë, një ambient e kemi konceptuar për shkollë 9-vjeçare dhe parashkollor. Momentalisht kemi shpronësuar gjithë pjesën e kodrës. Do jetë realisht një kompleks rezidencial,” u shpreh Veliaj. Kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj u shprehën se familjet që përfitojnë nga procesi i rindërtimit mund t’i gëzojnë shtëpitë e reja, por mund edhe t’i shesin dhe të bëjnë çfarë të duan me pronën që do jetë e tyre.
“Atyre duhet tu japim kontratën dhe tu themi që t’i me këtë apartament me këtë sipërfaqe dhe në një angazhim kohor të caktuar merr këtë pronë, për tu dhënë sigurinë psikologjike, por edhe për të mos lejuar që të bien pre e këtyre që thuhen për shkak të zgjedhjeve, “jo shtëpinë do ua marrin mbrapa; nuk do ua lënë ta shisni…,etj. ”. Të gjitha këto janë dokrra,” u shpreh Kryeministri Rama. Një javë më parë Këshilli i Ministrave miratoi dhe vendimin për kontratën që do marrin në dorë të gjithë familjet që do përfitojnë nga procesi i rindërtimit të banesave kolektive.