Ndër pyetjet e shumta që na mundojnë lidhur me pandeminë Covid-19, nisur nga “kur do të mbarojë e gjitha kjo situatë” apo “edhe për sa kohë do vazhdojmë t’i mbajmë maskat”, është edhe ajo lidhur me shtatzëninë. Kur infektohet një grua shtatzënë, cili është ndikimi mbi fëmijën?
Studimi më i fundit tregon se një grua në pritje për t’u bërë mama dhe pozitive me koronavirus nuk ka më shumë gjasa për dështim apo lindje të një fëmije pa jetë ose nën peshën normale. Studimi përfshiu 4,004 gra shtatzëna në Mbretërinë e Bashkuar e SH.B.A. dhe doli në përfundimin se Covid-19 nuk e rrit rrezikun e një shtatzënie që mund të shkojë keq.
Fëmijët duket se rrezikojnë të sëmuren rëndë nga virusi vetëm nëse kanë probleme të tjera shëndetësore. Studimi i ri, nga Imperial College London zbuloi se e njëjta gjë vlen edhe për foshnjat e palindura dhe të porsalindurit. Asnjë foshnjë nuk ndërroi jetë nga Covid-19, ndonëse mamaja ishte mbartëse e koronavirusit, si dhe vetëm rreth 10 përqind e tyre rezultuan pozitivë pas lindjes.
“Përfundimi se Covid-19 nuk e rrit rrezikun e vde kshmërisë foshnjore është tepër qetësues”, u shpreh profesor Christoph Lees, një ekspert i obstetrikës në Imperial. Nga ana tjetër, Profesor Lees, i cili drejtoi studimin, shtoi: “Sidoqoftë, një diagnozë tregon lidhjen mes Covid-19 dhe lindjes së parakohshme, ndonëse nuk është plotësisht e qartë pse”.