Një ditë më parë, kryeministri Rama hodhi poshtë ligjin për dekriminalizimin duke thënë se ky ligj shkel të drejtat themelore të njeriut. E ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, juristja dhe aktivistja e njohur, Brizida Gjikondi, i dha të drejtë kryeministrit duke theksuar se ky ligj bie ndesh me të drejtat themelore të njeriut. Sipas saj, nëse ky ligj shkon në Gjykatën Ndërkombëtare, shfuqizohet menjëherë.
“Ky është një ligj, që vërtetë shkel të drejtat e njeriut. Pavarësisht se është prekur Kushtetuta, kur u bë ky ligj janë prekur dhe 5 nene të Kushtetutës që ta bënin të zbatueshëm. Ky ligj po të çohet, jo në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, por në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, ky ëhstë një ligj që i prek në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut.
Vërtetë ky ligj, është për të ardhur keq që Shqipëria përfundon në kështu lloj standartesh, që shpik kështu ligjesh. Me këto deklarata personale që nxjerr çdo kandidat për deputet dhe pastaj ky ligj del dhe mbi Kodin Zgjedhor, që s’bën vaki. Po të çohet në Gjykatën Ndërkombëtare, ky ligj shfuqizohet menjëherë.”