“Love Story” po shkon drejt fundit dhe kanë mbetur vetëm 3 vajza për të fituar zemrën e Saimirit. Meri, Generda dhe Xhesi janë tre vajzat që mundën të mbërrinin deri në finale dhe vetëm njëra prej tyre do të ketë mundësinë që të krijojë një lidhje të bukur dashurie me “princin modern”. Ditën e hënë Saimiri vendosi që të eliminonte Redonën, duke u shprehur se nuk kishte të njëjtat ndjenja për të dhe për këtë arsye nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë e programit.

Siç duket Saimiri është shumë i vendosur në hapat që hedh dhe e ka menduar se cilës vajzë do t’i dhurojë trëndafilin e fundit të dashurisë. Në një intervistë për “Daily Love Story” ai ka zbuluar se e ka ndarë mendjen për vajzën që do të jetë partnerja e tij e ardhshme.

“Afërsisht e kam ndarë mendjen. Unë kam tipin në fakt që nuk tregoj shumë emocion, e mbaj përbrenda. Duhet të më jesh afruar shumë afër që unë të hapem me një njeri”, është shprehur Saimiri.

Ai ka treguar se pyetja e vajzave “çfarë ndjen ti për mua” e ka vënë në siklet shpeshherë, por tani që jemi në fund të programit ndjenjat për to i janë shtuar.

“Pyetja ‘çfarë ndjen ti për mua?’. Saimiri mundohet t’i shmanget pak me elegancë sepse e kam thënë që është shumë e vështirë të krijosh diçka thellë me një person para publikut. Por tani nga fundi sigurisht që janë shtuar ndjenjat sepse kanë mbetur pak vajza”, është shprehur ai.

Saimiri ka treguar se do të donte shumë që në “Love Story” të kishte pasur më shumë takime me vajzat.

“Ndoshta do kishte qenë më bukur nëse do të kishim pasur kohë më shumë, t’i njihja të gjitha vajzat akoma më shumë dhe të kishim pasur më shumë takime, sepse unë me vajzën fituese në total do kem 5 takime ose 6”, është shprehur ai.