Nga Alfred Peza/
Që Lulzim Bashën nuk e kanë marë asnjëherë seriozisht si lider politik as ata brenda partisë së tij, kjo është një gjë e njohur tashmë botërisht, që nga viti 2013 kur u zgjodh Kryetar i PD e deri më tani. E si për të na i vërtetuar të gjithëve këtë opinion kolektiv, sapo ka luajtur edhe aktin e fundit, përpara rënies së maskës që u mundua të mbante me sforcim përpara zgjedhjeve të 25 prillit.
Megjithëse jemi një vend ku çudia më e madhe politike zgjat vetëm tri ditë, nuk besoj se të gjithë janë aq dritëshkurtër, sa të harrojnë se çfarë premtoi Lulzim Basha menjëherë pasi i humbi të gjitha pushtetet e opozitës bashkë me 60 bashkitë e vendit. Pasi e nxorri opozitën nga Parlamenti në rrugë të madhe, për ta harruar sa më shpejt edhe helmin e humbjes së pushtetit lokal, u zotua se nuk do bënte as pushime verore vetëm e vetëm që ti përkushtohej fitores së zgjedhjeve të 2021.
Bashkë me verën iku edhe vjeshta, e pas festave të fundvitit po ikën dhe dimri dhe Lulzim Basha nuk bëri asgjë nga ato që trumbetoi me të madhe. As nuk bëri turin nëpër Shqipëri. As nuk zhvilloi procesin e zgjedhjeve të brendshme në parti. As nuk zbatoi asnjë nga vendimet për komisionin Ruli-Nishani. As nuk e prezantoi programin dhe ekipin në shtatorin e 2020. As nuk e bashkoi opozitën për të krijuar frontin anti- Rama. As doli me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë.
I vetmi vendim që ka marë gjatë gjithë kësaj periudhe, është largimi i Klevis Balliut, nga mundësia e kandidimit për deputet në qarkun e Korçës. Por, kur kemi parë këto ditë rikthimin e gjithë të tjerëve të skualifikuar deri dje, nuk është çudi që edhe kjo “arritje” e vetmje e një lideri opozite që pretendon të zgjidhet nesër Kryeministër, të zhbëhet gjithashtu. Kur sheh se kë ka prezantuar deri tani për në garë, kjo gjë do të përbënte, çudinë më të vogël të Lulzim Bashës.
Zhbërja ende pa nisur fushata zyrtarisht, e të gjithë premtimeve dhe vendimeve të mara prej Kryetarit të PD përgjatë këtij viti të fundit, është akti i fundit i një lideri që po e çon skuadrën e tij drejt një humbje të sigurtë në zgjedhje. Humbje që nuk ka ndodhur kurrë për tri zgjedhje të përgjithëshme parlamentare radhazi, në historinë e post komunzimit në Shqipëri. Për rrjedhojë, është edhe humbja e ikjes së Lulzim Bashës nga kreu i partisë së tij.
Vetëm një lider në ikje, mund të paraqesë përpara shqiptarëve një program ekonomik qesharak, që përsërit që nga premtimet e Sali Berishës për ti bërë shqiptarët me kompjutera këtu e 15 vjet përpara, premton libra falas për nxënësit që kjo mazhoranca ka 5 vjet që i ka bërë. Nuk parashikon asnjë lek për përballimin e pandemisë globale në Shqipëri. Nuk ka asnjë plan qoftë edhe me një fjali të vetme për rindërtimin nga tërmeti I 26 nëntorit 2019. E kështu pambarimisht.
Duke mos u bërë dot lideri real i Partisë Demokratike, Lulzim Basha as nuk mundi dhe as ka për tu bërë dot kurrë, lideri real i gjithë opozitës shqiptare. Duke mos u bërë dot lider, Lulzim Basha nuk mund të bëhet dot kurrë Kryeministër i Shqipërisë. Kaq do ti mjaftonte çdo kundërshtari të tij, e jo më një politikani si Edi Rama, që të bënte një fushatë si kjo që është duke bërë.
Fushata e Partisë Socialisite është një lojë e madhe pasqyrash, ku publiku po sheh gjithmonë e më qartë, pafuqinë reale të Lulzim Bashës për tu ngjitur në lartësinë e sfidantit real të Kryeministrit. Sepse tek ato këpucë me shoje të grisura, që Edi Rama publikoi në rrjetet sociale duke ecur kantier më kantier nëpër Shqipëri, shqiptarët panë gjumin e thellë letargjik të Lulzim Bashës jo vetëm dje dhe sot, por edhe në të ardhmen.
E kur të gjithë po shohin çdo ditë fillimin apo përfundimin e një vepre të re publike. Kur shohin të ngrihet apo të hapë dyert një shtëpi të re. Të një çerdhe, kopshti a shkolle të re. Hedhjen e themeleve të një spitali të ri, të një pallati të ri, të një blloku të ri banimi, të një kanali, ure, rruge, nënkalimi apo mbikalimi, të një fushe sportive apo të një parku lodrash për fëmijë, atëherë po kuptojnë thellë e më thelle edhe ndryshimin e jashtëzakonshëm mes një Kryeministri që po kërkon të fitojë mandatin e tretë qeverisës dhe një lideri në ikje.
Pas 25 prillit, e sigurtë është vetëm se Lulzim Basha do të mbahet mend si i vetmi kandidat për Kryeministër që e humbi fillimisht mundësinë e tij, e më pas shkoi edhe formalisht në fushatë për të marë për këtë edhe çertifikimin e shqiptarëve me votë!