Nga Armand Bajrami dhe Julian Kasapi/
Në një rend demokratik, shkelja e ligjeve mund të çojë në privim të lirisë së individit, por në asnjë moment në privim të lirisë së besimit. Në Shqipëri kjo e drejtë respektohet me ligj.
Të dënuarit me burg, apo të paraburgosurit, gëzojnë mundësinë e praktikimit të besimit fetar, si edhe studimit të literaturës fetare. Ky është burgu i Fierit. Në qelitë e një kompleksi masiv godinash në 15 mijë metër katrorë sipërfaqe, rrethuar me mure të larta e tela me gjemba, ngrysin ditët 750 të dënuar e të paraburgosur.
Pesha e rëndë e mungesës së lirisë, duket se lehtësohet ndjeshëm në katin e tretë të një prej godinave, aty ku ndodhen disa ambiente të shenjta për të dënuarit.
Distributorët e besimit, ku të dënuarit ushqejnë shpirtin dhe hapin zemrën ndodhen në të njëjtin korridor, ngjitur, kishë e xhami bashkë.
Në burgun e Fierit janë 320 persona që marrin pjesë në shërbesat fetare, nga të cilët 121 të fesë myslimane, 188 të krishterë dhe 1 Dëshmitar i Jehovait. Ushtrimi i besimit dhe ndjekja e riteve është parë prej tyre si një rrugë kalitjeje e durimit dhe ndihmë e pashoqe në përballimin e vuajtjes së mungesës së lirisë. Hapësirë paqeje dhe gëzimi në vendin ku shlyejnë mëkatet ligjore.
Dhimbjen për familjarët që i presin jashtë, e tresin me lutje, lutje që depërtojnë çdo derë qelie, çdo kangjellë hekuri dhe çdo mur betoni.
Toleranca fetare, vlera e pakundërshtueshme e popullit shqiptar është po aq e vyer edhe brenda kangjellave të burgut. Harmonia mes besimtarëve të feve të ndryshme është përkthyer në zero incidente me tyre.
Burgjet në Shqipëri kanë një traditë të gjatë me ambientet fetare të përshtatura brenda tyre. Shërbesat bëhen nga klerikë që futen në burgje në ditët e caktuara falë bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Komuniteteve Fetare në vend.
Rikthimi i të burgosurve në shoqëri është sfidë jo vetëm e sistemit të burgjeve, por e gjithë shoqërisë. Nuk janë të pakta historitë e individëve që pas lirimit nga burgu janë stigmatizuar, çka i ka çuar në një izolim të mëtejshëm. Në këtë kuadër, qasja ndaj besimit shpirtëror dhe ushtrimit të riteve, vlerësohet edhe si një nga ndihmat më madhore për rehabilitimin e tyre në shoqëri.
Për të dënuarit me burg nuk ka urim më ngazëllues se liria, por për besimtarët në qeli mesazhi vijon edhe më tej.