Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka aplikuar mëngjesin e sotëm për kartën e re të identitetit në Njësinë 9, ku është e zgjedhur deputete. “Unë kam zgjedhur të jem në një nga zyrat në Njësinë Administrative Nr.9, ku të aplikoj për kartën e identitetit. Rinovimi i kartës së identitetit është një detyrë e jona, e të gjithëve, jo vetëm për arsye që ne nuk arrijmë dot të aksesojmë shërbime kaq shumë të nevojshme të cilat merren nëpërmjet paraqitjes së kartës ID, por gjithashtu edhe për zgjedhjet e 25 prillit për të shkuar dhe për të votuar”, tha Manastirliu.
Manastirliu u ka bërë një thirrje qytetarëve për të aplikuar pasi procedura është shumë e thjeshtë. “Unë jam shumë e kënaqur që procedura mbaroi shumë shpejt. U bëj një thirrje qytetarëve për të vijuar me procedurën e rregjistrimit dhe aplikimit të kartës ID”, tha Manastirliu.Duke falenderuar Ministren Manastirliun që gjeti kohën për të aplikuar, Bledar Doracaj, Drejtor i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, tha se vetëm në pak sekonda qytetarët mund të mbarojnë punë për të poseduar kartën ID. “Kam kënaqësinë të jemi këtu me Ministren e Shëndetësisë, të cilën e falenderoj nga zemra që në gjithë këtë situatë të ngarkuar gjeti kohë dhe së bashku jemi që të t’ju bëjmë një tjetër thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që u ka mbaruar dokumenti i vlefshëm biometrik, letërnjoftimi elektronik ose ID karta. Vetëm pak sekonda dhe qytetarët mbarojnë dhe posedojnë dokumentin. Fluksi nuk është ai që ne presim, nuk është ai që duhet. Ndërkohë që kapacitetet pritëse dhe ato prodhuese janë disa herë më të larta”, tha Doracaj.