15 Shkurt, Durrës- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar spitalin rajonal të Durrësit, ku nis sot trajtimi i pacientëve me Covid19, pas fluksit në rritje në spitalet COVID në Tiranë. “Eshtë një moment delikat, pasi shihet që kemi një incidencë në rritje të infektimeve dhe sigurisht dhe fakti që 90% e kapaciteteve më 4 spitalet COVID në Tiranë tashmë janë ezauruar, kjo na bërë që të kalojmë në skenarin e parë për hapjen e spitaleve rajonale, ku fillojmë sot me hapjen e Spitalit Rajonal të Durrësit, me pavion të dedikuar dhe gjithashtu në Spitalin Rajonal të Shkodrës e më pas do të vijojmë me Spitalin Rajonal të Korçës, Vlorës, Elbasanit, në skenarin e parë”, deklaroi Manastirliu.

Duke folur për kapacitetet dhe investimet në spitalet rajonale, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh: “Me këtë skenar, vendosim në dispozicion të qytetarëve nga 430 deri në 630 shtretër, që i shtohen kapaciteteve të spitaleve të Tiranës, ndërsa eksperienca e fituar nga stafet mjekësore si dhe me investimet që kemi bërë në spitalet rajonale, jemi të angazhuar t’i përgjigjemi nevojave dhe puna nuk po ndalet në asnjë moment, që t’i sigurojmë qytetarëve kushtet optimale për trajtimin e dukur mjekësor”, tha Manastirliu. Drejtuesja e spitalit të Durrësit dhe stafi i pavionit COVID u shprehën se gjatë kësaj kohe është investuar për pavionin e dedikuar COVID si dhe është fituar një eksperiencë e mirë për trajtimin e pacientëve, nisur nga fakti se Spitali Rajonal i Durrësit trajton rastet post-covid si dhe rastet suspect covid.

Gjatë inspektimit në reanimacionin e spitalit të Durrësit, ku janë dedikuar poste për trajtimin e pacientëve me COVID19, Manastirliu foli edhe për vaksinimin antiCOVID, i cili do të shtrihet edhe në dy pika të reja. “Vijnë sot edhe dozat e tjera të vaksinës së Pfizer, doza të cilat do të shpërndahen menjëherë dhe pa humbur kohë për të vijuar planin e vaksinimit. Ne do të vijojmë nesër me qendrat e vaksinimit në Shkodër, më pas me Vlorën, ndërkohë që stafi i Durrësit, Elbasanit do të vaksinohen në Tiranë. Janë bërë gati të gjitha listat sipas vendosjes për të prioritizuar ata të cilët janë në linjën e parë”, theksoi Manastirliu. Pas spitalit rajonal të Durrësit dhe Shkodrës, sipas strategjisë së vjeshtë-dimrit, do të vijojet me hapjen e spitaleve të Korçës, Vlorës, Elbasanit, me një kapacitet nga 430-630 shtretër dhe më pas, do të vijohet sipas skenarëve të spitaleve rajonale. Janë 1600 shtretër të dedikuar COVID, në skenarët e parashikuar nga Ministria e Shëndetësisë.