Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar çdo abuzim nga kushdoqoftë në sistemin tonë shëndetësor.
“Dua të falenderoj edhe një herë median që zbuloi këtë rast korruptiv dhe ftoj qytetarët të denoncojnë çdo rast”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se nuk do rë tolerohet asnjë rast abuziv. “Në 30 vite kemi parë plot shembuj të pandëshkueshmërisë ndërsa sot këta çibanë janë në burg. Nëse ne duam ta çrrënjosim korrupsionin, duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku. Ne si qeveri do të ofrojmë garancitë qe do i shkojmë deri në fund dhe të çrrënjosim çdo çiban nga sistemi ynë shëndetësor”, tha Manastirliu.
Lidhur me ofrimin e ushqimit në spitale, Ministrja e Shëndetësisë u përgjigj: “Të gjitha spitalet e ofrojnë ushqimin. “Shefqet Ndroqi” e kryen me catering. Ka qenë vendimmarrje e vetë strukturave të spitaleve për të patur një kanal komunikimi me familjarët edhe në aspektetet e ushqimit dhe ndërresave. Rregulli para pandemisë ka qenë të mos lejohen ushqime nga jashtë. Është vendosur nga vetë mjekët, për shkak se familjarët nuk i takojnë pacientet, si një mënyrë për t’i ndenjur afër, jo se shteti nuk e garanton por sepse ka qenë një kërkesë e familjareve dhe është pranuar nga stafet e spitaleve”, tha Manstirliu.