Nga Artur Ajazi/ Ndoshta Berisha, Nano dhe veçanarisht Rama, ishin dhe do të mbeten të vetmit politikanë të postkomunizmit dhe periudhës së tranzicionit demokratik, që nuk kishin nevojë të jepnin shumë “leksione” por praktika e tyre në terren, bëri që ata të marrin vota. Ashtu siç mori Berisha në 22 Mars 1992, mori edhe Nano në Qershor 1997, por duke mos harruar Edi Ramën, që 5 fishoi votat e marra në 2013. Pjesëza nga këto histori të vogla fitoresh, duhej të ishin bërë mësimi më i mirë për lulzim Bashën, “të riun” (siç e quan Blend Këlliçi) që po guxon të garojë për tu bërë pas 25 Prillit “kryeministri vendit”. Por të arrish deri atje, të kapësh majat e pushtetit, të cilat Lulzimi i ka me shumë mall ti ketë një ditë, duhet të mësosh si kapet vota, si merret vota, si binden njerësit për të votuar partinë tënde. Votat nuk merren nga selia e partisë, as duke mbledhur ca mjekë, mësues, dhe të rinj forumi, që të thonë ty se “je kryeministri më i mirë i vendit”.
Duhet të mësosh si kapet dhe fitohet vota, dhe jo me mashtrime Lulzim, jo me premtime sepse shqiptarët kanë 30 vjet që dëgjojnë dëngla nga Sali Berisha apo dhe ti, kanë 30 vjet që vuajnë pasojat e fushatave denigruese që ju dhe partia juaj keni bërë me të vetmin synim, marrjen e pushtetit. Duhet të prekësh hallet dhe problemet e njersve zoti Basha, jo me profka të dala boje, me “rritje rrogash dhe pensionesh” jo me “falje të taksave dhe gjobave”, sepse kjo taktikë është e Berishës. Jo me “tableta dhe kompjutera falas”, apo me “libra dhe ndihma financiare për familjet në nevojë”. Gjithë kjo histori premtimesh që ti Lulzim, po u servir rëndom shqiptarëve çdo ditë para kamerave, nuk është gjë tjetër, veç një kopje e keqe e atyre që dikur thoshte Sali Berisha. Mëso si kapet dhe merret vota, dhe ajo merret kur ti si kryetar opozite ke qenë dhe mbetesh “OK” me misionin tënd, kur ti dhe partia tënde keni ecur në gjurmët e zbatimit të ligjit, dhe ke respektuar kodin e sjelljes me institucionet. Por e vërteta qëndron ndryshe. Kjo pasi opozita që ti bëre deri sot, ishte llogore lufte pa asnjë shkak ndaj qeverisë, ndaj institucioneve, ndaj investimeve publike, ndaj përballjes me krizat e tërmetit dhe pandemisë.
Asnjë ndihmë morale dhe materiale nuk ke dhënë ti dhe opozita ndaj krizave që kanë prekur jetën, shëndetin dhe xhepat e shqiptarëve. Asnjë fjalë dhe kurajo nuk ka dalë nga ju dhe shqupistët deri sot (që presin me ankth emrin në listë) për të mbajtur gjallë moralin e atyre që mbetën pa shtëpi e katandi, apo dhe atyre që u prekën nga coronavirusi. Përkundrazi, ju i demotivonit, demoralizonit, dhe u ngjallnit panik , edhe kur qeveria dhe Edi Rama nisën rindërtimin dhe kantieret e ndërtimit, edhe kur në Rinas mbërritën vaksinat e para, apo edhe tani kur morën lajmin e mirë se vaksinat do të mbërrijnë shumë shpejt. Ju nuk e doni buzëqeshjen e shqiptarëve, ju doni pushtetin, ju nuk e doni mposhtjen e krizave pasi ju doni kaosin dhe përmbysjen e qeverisë, duke harruar se votat nuk merren me pahir, por me bindje. Ju nuk ngjallni më besim dhe shpresë, sepse ju i keni mashtruar dhe vazhdoni ti mashtroni shqiptarët, duke mos harruar se nuk keni mësuar akoma si fitohet vota. Për ju zoti Basha, vota e shqiptarëve është pazar premtimesh, pazar aleancash dhe koalicionesh, apo dhe pazar pushteti në tavolinë. Të paktën të kishe mësuar “A, B, C” e fushatave nga shefi yt, jo më shumë ……….