Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka fituar betejën me COVID.

Ndërsa ka shpërndarë një foto ku po bën shëtitje në Parkun “Rinia” Elbasan, Kushi shkruan se është rikuperuar plotësisht nga beteja me COVID-19 dhe se do të rikthehet së zyrë nga e hëna, për të vijuar punën intensivisht.

“Një shëtitje në Parkun “Rinia” Elbasan, pas rikuperimit të plotë nga beteja me COVID-19 dhe përpara rikthimit në një javë intensive pune dhe angazhimesh aktive, e lehtësuar dhe me dëshirën e madhe për të shërbyer me përgjegjësi dhe përkushtim”, thotë Kushi.

Ndërkaq ajo ka apeluar të gjithë që respektojnë masat, duke evidentuar rrezikshmërinë që ka COVID.

“Ndjesë që isha larg zyrës më gjatë nga sa e kisha menduar, por për të gjithë ata që ende nuk e besojnë sa i rrezikshëm është ky virus, jua them nga përvoja ime personale dhe e familjes sime. Kujdes dhe sa më shumë vigjilencë në respektimin e të gjitha masave parandaluese, për shëndetin tuaj dhe të familjarëve të dashur! Ju falenderoj të gjithëve nga zemra për mbështetjen dhe mesazhet tuaja inkurajuese gjatë këtyre ditëve”, shtoi ministrja.