Prej kohësh tashmë ekspertë të shëndetit bëjnë thirrje që të infektuarit me koronavirus të mos marrin antibiotikë dhe kortizonikë që në fillim të infektimit. Në një bisedë me Jonida Shehun në “Radari Informativ” në ABC, Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare tha se kjo është një praktikë e gabuar që ndonjëherë ndiqet edhe nga vetë mjekët.
“I marrim që në fillim, dikush do të përfitojë e të ka dhënë një qerre me ilaçe. Nëse receta që unë jap është pa vulë nuk është nga institucioni. Në momentin që mjeku është në punë, ka detyrë të përfaqësojë institucionin me firmë e vulë. Ligji e lejon dypunësimin”, tha ai Brataj tha se në javën e parë të infektimit, nëse e keni në formë të lehtë, mund të merren vetëm paracetamol, lëngje e vitamina:
“Në javën e parë, paracetamol e lëngje e vitamina, edhe këto s’është e thënë t’i marrësh se s’bën, mund t’i marrësh përmes ushqimit.” Më tej, Brataj shpjegon që nëse simptomat vijojnë pas ditës së shtatë, kjo do të thotë se sëmunjda po përparon dhe se e mira është që të bëhen disa analiza dhe të konsultoheni me mjekun.
“Nëse simptomat vijojnë pas ditës së 7 kjo do të thotë se sëmundja po evoluon. Nëse temperatura shkon 39- 40 gradë do të thotë se ka shkuar në infeksion. Në ditën e 6-7 bëj analizat, që tregojnë infeksionin dhe kuagolimin e gjakut. Në bazë të tyre mjeku vendos”, tha ai. Nëse teprohet me antibiotikët, sipas mjekut, dëmtohet flora intensinale ndërsa kortizoni duhet marrë dhe ndërprerë sipas disa rregullave të caktuara.