Nga Tedros Adhanom Ghebreyesus, Foreign Policy

Ne jemi aktualisht në një garë me kohën. Zhvillimi i vaksinave të sigurta dhe efektive kundër Covid-19 në një kohë rekord, është një dëshmi e jashtëzakonshme e aftësive moderne të shkencës. Nëse ato do t’i japin fund kësaj pandemie të tmerrshme, kjo është një provë e vullnetit politik dhe angazhimit moral të botës.

Por përkundër numrit në rritje të opsioneve të vaksinave, kapaciteti aktual i prodhimit plotëson vetëm një pjesë të nevojës globale. Vaksinat janë shansi më i mirë për t`a vendosur nën kontroll këtë pandemi, por kjo vetëm nëse liderët nuk bien pre e “nacionalizmit të vaksinave”. Bashkëpunimi ndërkombëtar midis shkencëtarëve ishte thelbësor për zhvillimin e vaksinave, por tani bashkëpunimi i dobët midis vendeve është një pengesë kryesore për të kryer vaksinimin e gjithë botës në shkallën që është e nevojshme për t’i dhënë fund pandemisë. Shpërndarje e drejtë e vaksinave nuk është vetëm një parullë; ajo i mbron kudo njerëzit, dhe mbron shtamet virale ekzistuese nga variante të reja rezistente ndaj vaksinave, në një kohë që forcon aftësinë e bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur përhapjen e Covid-19.

Aktualisht, vendet e pasura që kanë vetëm 16 për qind të popullsisë së botës, kanë blerë 60 për qind të sasisë së vaksinave në botë. Shumë prej tyre synojnë të vaksinojnë 70 për qind të popullsisë së tyre të rritur deri nga mesi i këtij viti, me synim arritjen e imunitetit të tufës. Por COVAX – mekanizmi shumëpalësh i krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, së bashku me Koalicionin për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike dhe GAVI, aleanca e vaksinave, për të siguruar që vaksinat të shkojnë tek njerëzit kudo që ata ndodhen, e ka shumë të vështirë të blejë doza të mjaftueshme për të mbuluar qoftë edhe vetëm 20 për qind të popullsisë së vendeve me të ardhura më të ulëta deri në fundin e këtij viti.

Shpërndarja e vaksinave nuk duhet të bëhet një lojë me shumën zero. Nacionalizmi i vaksinave nuk është vetëm i pa mbrojtshëm në aspektin moral. Ai është epidemiologjikisht vetë-shkatërrues dhe klinikisht jo produktiv. Vetëm mekanizmat e drejtuara nga tregu janë të pamjaftueshme për të përmbushur synimin e ndalimit të pandemisë dhe arritjen e imunitetit të tufës përmes vaksinave. Furnizimet e kufizuara nga njëra anë dhe kërkesa e madhe nga ana tjetër, krijon fitues dhe humbës. Gjatë një pandemie,asnjëra nuk është e pranueshme nga ana morale dhe mjekësore. Lënia e pa vaksinuar e shumicës së popullsisë së botës, jo vetëm që do t`a zgjasë pandeminë por edhe do të shtojë vdekjet e panevojshme, si dhe dëmet ekonomike nga bllokimet, gjithashtu do të pjellë mutacione të reja të virusit, teksa Covid-19 do të vazhdojë që të përhapet midis popullatave të pambrojtura.

Përhapja e pakontrolluar mund të sjellë shfaqjen e varianteve më ngjitëse, dhe kjo do të çojë në një rritje të madhe të rasteve. Është një cikël vicioz. Edhe një mbyllje hermetike midis vendeve të vaksinuara dhe të tjerëve nuk është as e dëshirueshme dhe as e mundur. Ky koronavirus përhapet shpejt dhe shpesh në heshtje, para se të zhvillohen simptomat, ose me simptoma të lehta që janë të zakonshme për shumë sëmundje. Akoma më shqetësues është fakti që mutacionet e reja mund të çojnë në rezistencë ndaj vaksinës. Ka që tani prova se disa vaksina janë më pak efektive kundër varianteve të identifikuara për herë të parë në Brazil dhe Afrikën e Jugut. Variantet e reja mund të infektojnë edhe njerëzit që tashmë i kanë mbijetuar një versioni të mëparshëm të virusit.

Ka gjithashtu gjasa që virusi të bëhet më vdekjeprurës. Edhe një rritje e vogël e vdekshmërisë do të kishte një efekt katastrofik. Ndërkohë, nacionalizmi në rritje i vaksinave, është gjithashtu joproduktiv nga aspektin shoqëror dhe ekonomik. Popullsitë dhe komunitetet e pambrojtura kudo që ndodhen, do të vazhdojnë të vuajnë efektet dytësore të pandemisë. Bllokimet e vazhdueshme nënkuptojnë rrënim ekonomik, me më shumë njerëz që zhyten në varfëri. Një studim nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, tregon se vaksinimi i plotë i popullsisë së vendeve të pasura dhe lënia pas dore e popullatave në vendet e varfra, mund t’u kushtojë vendeve të pasura deri në 4.5 trilionë dollarë për shkak të aktivitetit të humbur ekonomik.

Dëmet më të mëdha anësore po i vuajnë fëmijët. Shkollimi i humbur nënkupton më shumë fëmijë që punojnë, një uri më të madhe, dhe rritjen e pabarazisë gjinore. Efekti i arsimit të humbur është i përhershëm, dhe çon në një jetë më të shkurtër, më pak të përmbushur. Për momentin është e vërtetë, që asnjë vend nuk ka doza të mjaftueshme vaksinash. Por mungesa e tyre në vendet e varfra është veçanërisht e tmerrshme. Për sa kohë që udhëheqësit botërorë po vendosin se jeta dhe jetesa e kujt duhet të jetë një prioritet, dhe për sa kohë që të gjithë përpiqen të sigurojnë doza të mjaftueshme vetëm për vete, të gjithë ne po e humbasim luf tën. Prodhuesit kryesorë të vaksinave po punojnë për të rritur prodhimin. Por ata janë ende shumë larg përmbushjes së kërkesës. Qeveritë dhe kompanitë duhet të bashkohen për të kapërcyer këtë mungesë artificiale. Për shtimin e prodhimit të vaksinave dhe zgjerimin e shpërndarjes, mund të ndërmerren disa hapa.

Këtu përfshihen ndarja e hapur të teknologjisë së prodhimit të vaksinave, pronësisë intelektuale dhe njohurive teknike. Kjo do të mundësojë përdorimin e menjëhershëm të kapacitetit të pashfrytëzuar të prodhimit, përmes iniciativave të tilla si Rrjeti i Prodhuesve të Vaksinave në Vendet në Zhvillim, dhe do të ndihmojë në ndërtimin e njësive shtesë të prodhimit -sidomos në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine – të cilat do të jenë thelbësore për të përmbushur kërkesën e vazhdueshme për vaksinat përforcuese të Covid-19, por edhe vaksinat e ardhshme. Zgjerimi i prodhimit global të vaksinave, do t’i bënte vendet e varfra më pak të varura nga donacionet nga vendet e pasura. Dhe kjo është thelbësore për të arritur barazinë e vërtetë shëndetësore dhe sigurinë globale shëndetësore. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të lejojë një numër aktorësh që të diktojnë kushtet apo afatet kohore për t’i dhënë fund kësaj pandemie.

Deri më tani, fushatat e vaksinimi i kanë dhënë me të drejtë përparësi atyre që rrezikojnë më shumë që të vdesin:të moshuarve. Gjithashtu, qeveritë po veprojnë me shpejtësi për të mbrojtur punonjësit e kujdesit shëndetësor, që rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar çdo ditë të tjerët. OBSH vlerëson se të paktën 30.000 punonjës të kujdesit shëndetësor kanë vdekur tashmë nga Covid-19 – dhe shifra e vërtetë mund të jetë më shumë se dyfishi, duke çuar në një mungesë tashmë globale të profesionistëve mjekësorë. Që ta vendosim pandeminë nën kontroll, e vetmja zgjidhje e përhershme është të vaksinohen sa më shumë njerëz në të gjithë botën dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Pandemia nuk do të mbarojë askund, derisa të mbarojë kudo.

Shënim: Tedros Adhanom Ghebreyesus, është drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.