Një brez jashtëzakonisht i gjerë ajri i ftohtë në qendër të SHBA po përhap dëborë dhe akull edhe në zona që rrallë përjetojnë një mot të tillë, sipas gazetës amerikane ”The New York Times”. Një stuhi e madhe dëbore dhe ngricash goditi sot një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke shkaktuar probleme të rënda. Stuhia në bregdetin lindor ka ndërprerë energjinë elektrike për 3,8 milionë banorë në të gjithë vendin. Shërbimi Kombëtar i Motit tha sot se të paktën 150 milionë amerikanëve u është kërkuar të bëjnë kujdes maksimal.

Më shumë se 120 aksidente u raportuan në rrugë brenda natës në Hjuston duke përfshirë një përplasje masive ​​me 10 automjete. ”Në Oklahoma, një përplasje në verilindje të Oklahoma City bëri që disa kamionë të merrnin fl akë”, thanë autoritetet. “Kjo situatë nuk është parë kurrë më parë në historinë e Teksasit”, tha guvernatori Greg Abbott i Teksasit në një konferencë shtypi.

”Këto kushte rrjedhin nga një sistem i fortë i presionit të lartë që ka lëvizur poshtë nga Rrethi Arktik, duke sjellë disa nga temperaturat më të ulëta që pjesë të vendit kanë përjetuar në vite”, tha Michael J. Ventrice, një shkencëtar meteorologjik me IBM.

”Temperaturat në pjesë të Oklahoma ishin 40 gradë më të ulëta se zakonisht për këtë kohë të vitit”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit. Enti për Energjinë ka urdhëruar kompanitë elektrike të fillojnë ndërprerjet e kontrolluara të energjisë, pasi kërkesa për të është shumë e lartë nga i ftohti i ashpër, që po mbingarkon kapacitetet në dispozicion. “Kjo është një ngjarje e paprecedentë dhe shënon herën e parë që entit iu desh të bëjë thirrje për ndërprerje të kontrolluara të shërbimit”, tha në një deklaratë Lanny Nickell, zyrtari kryesor operativ i këtij enti.

Stuhia po dëmton rëndë shërbimin elektrik në Teksas. Rreth 2,6 milionë shtëpi dhe biznese në shtet nuk kishin energji elektrike për shkak të dëmtimeve ose ndërprerjeve të porositura nga rregullatorët.