Një sipërmarrës me origjinë nga Kukësi, që jeton prej mëse 30 vitesh në Ksamil, gjatë bashkëbisedimit me Kryeministrin Edi Rama, tha se ka qenë mbështetës i PD-së, por sipas tij, “e djathta ka humbur rrugën, ndërsa Partia Socialiste ka punuar me projekte ambicioze dhe ka bërë legalizimet në qytetin bregdetar”.

Qytetari tha se në Ksamil në 2010-ën u shembën 300 ndërtesa, ndërsa sot shumica e tyre po legalizohen.

“Jam divorcuar me të djathtën, sepse në Ksamil në 2010 janë prishur 300 ndërtime nga qeverisja e PD-së, ku ministër i Brendshëm ka qenë Basha që sot pretendon gjoja që mund të bëhet kryeministër, por nuk i ka plotësuar kushtet akoma.

Në lidhje me protestat që u bënë në 2011 ku u vranë 4 protestues, kur kjo ish-qeveria për të mbrojtur kështjellën e vet me tela që të mos afroheshin njerëzit, qëlloi në turmë dhe vrau 4 persona të pafajshëm, larg Berishës, që nuk kishin asnjë lidhje që mund të ishin të dhunshëm. 300 ndërtimet që u prishën në Ksamil janë thuajse të tëra të legalizuara sot. Në kohën e PD legalizimet janë bërë me pikatore, këtu pjesa e dërrmuese i kanë marrë letrat dhe janë të legalizuar. Ka qenë një zonë në Ksamil, “26 Marsi”, z. Hyseni e di, që ka këmbëngulur dhe u fut në zonë urbane.

Po vazhdon ujësjellësi i Ksamilit, degëzim që do të shtojë kapacitetin me ujë të pijshëm. Nga ana e Bashkisë, rregullisht janë pastruar mbetjet urbane. Edhe shërbimet e tjera ndaj qytetarëve. E futët në plan rregullues Ksamilin dhe kanë marrë leje legalizimi si të djathtë, edhe të majtë. Shokëve të mi të PD u bëj thirrje ta votojnë PS, se realisht është më punëtore.

Roli i individit ndikon, e kam fjalën për ty, personi ndikon. Në behar, fluksi i pushuesve është shumë i madh, ndërsa në 2020 si pasojë e pandemisë ra fluksi, por ama ke një kontribut të paçmueshëm në thirrjen që u bëre qytetarëve për turizëm patriotik, prapë punuam, nuk ngelëm bosh, lamë edhe këstet e kredisë dhe jemi ushqyer”, tha sipërmarrësi.