Ish-konkurrentja e “Për’puthen”, Melisa Lleshi, tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut me lirshmërinë që kishte, por për shkak të presionit të madh psikologjik, vendosi të largohej pa gjetur partner. 23-vjeçarja u përfol për një lidhje me ish-konkurrentin Andi Shehu dhe shumë fansa mendonin se ai ishte arsyeja e vërtetë e largimit të saj.
Megjithatë, Lleshi i ka mohuar herë pas here këta zëra, duke shtuar se nëse do të ishte kështu do ta kishte thënë. Së fundmi, gjatë një interviste për “Prive”, ajo e theksoi edhe një herë se nuk është në një lidhje me Andin dhe se nuk ishte ai shkaku i largimit të saj. “U largova, sepse isha shumë rëndë. E kam shprehur aty dhe shpreh të njëjtën gjë. Ndoshta jam tipi i personit që pavarësisht se mund të duket nga reagimet që kam, që nuk mbaj dhe sh.përthej.
Faktikisht unë mbaj shumë dhe erdhi ajo pika që u zbraza edhe unë, që thash ‘shiko, se sa t’i bëj dëm vetes më shumë…’ ku ndërkohë nuk është se kisha një interes më shumë se shoqëror aty brenda, thash më mirë le të qetësoj trurin tim dhe të largohem”,- u shpreh këngëtarja.
E pyetur nëse kishte më shumë se sa shoqëri me Andin, ajo u përgjigj: “Jo”. E këtë përgjigje e pasoi pyetja: “A gënjen Melisa?”, së cilës 23-vjeçarja iu përgjigj: “Rrena të bardha, si gjithë të tjerët”.
Melisa tha se nëse do t’i jepej mundësia, do të rikthehej në emision sërish. Ndërsa në lidhje me romancën e Tea Trifonit dhe Beart Rexhepit, Lleshi tha: “Unë kam vetëm diçka për të thënë, kushdo që ka dashuruar arrin të kuptojë që dashuria të verbon dhe nuk pyet për asgjë, pastaj arsyet e tjera i dinë ata vetë, nuk e di pse kanë vepruar në atë mënyrë”.