Në muajin tetor Elia Zaharia dhe Princ Leka u bënë prindër për herë të parë. Dyshja u bekuan me një vajzë, të cilës i vendosën emrin Geraldinë, si stërgjyshja e saj. Në një intervistë për revista “Who”, Elia ka rrëfyer çdo detaj nga pritja e ëmbël dhe roli i saj si nënë e një vogëlusheje.
Aktorja ka treguar se shtatzënia për të nuk ka qenë aspak e lehtë për shkak të kushteve të pandemisë dhe situata nuk e ka lejuar të gëzonte aq sa duhej pritjen e ëmbël. “E jetova karantinën me shumë stres, panik. Kisha frikë të vazhdueshme mos infektoheshin familjarët e mi… Në mendje më kalonin vetëm skenarë të dhimbshëm dhe kjo me rëndonte psikologjikisht. Ne patëm disa miq që për fat të keq ndërruan jetë për shkak të ‘Covid’, miq të shtrenjtë të familjes, ndaj kisha shumë trishtim… Më duket sikur m’u vodh ajo periudhë e shenjtë! Madje refuzova të gëzoj me këtë lajm edhe miq të afërt, pasi deri diku më dukej sikur nuk duhej marrë si e mirëqenë kjo lumturi, se në çdo moment mund të ikte! Besoj kjo erdhi si rezultat i ankthit që më pushtoi nga pandemia! Pothuajse nuk dola fare për muaj me radhë dhe për të mos e rënduar akoma më shumë këtë gjendje emocionale, vendosa të rinis punimet në shtëpi, pasi ndërtesat e vjetra si kjo e jona, kanë gjithmonë nevojë për mirëmbajtje. Kjo sikur më motivonte dhe më lejonte të kanalizoja energjinë dhe mendimet. Nëse do të mund të kthehesha pas në kohë, do të doja ta kisha përjetuar më e qetë dhe më e lumtur periudhën e shtatzënisë”, ka thënë Elia.
Ajo ka treguar se e vogla ngjan më shumë me Princ Lekën, që është shumë i kujdesshëm ndaj Geraldinës. “Leka është shumë i përkushtuar dhe i jep shumë dashuri dhe vëmendje vogëlushes sonë. Natën ai zgjohet më lehtë se unë dhe është shumë i kthjellët. Unë dua pak më shumë kohë deri sa të më ikë përgjumja… Zakonisht është i qetë dhe nuk bën panik, por kujdesin e ka njësoj si unë. Kjo më jep shumë besim dhe qetësi, pasi e kam mbështetje në çdo moment. Jam shumë e lumtur për përkushtimin e tij, madje nuk e kam imagjinuar që do ishte kaq i dhënë pas vajzës!”, është shprehur ajo.
Elia ka treguar se nuk ka qenë supersticioze para se vajza të vinte në jetë, por tashmë gjithçka ka ndryshuar. Ndërsa sa i përket planeve për një fëmijë të dytë, ajo ka thënë se janë të largëta për momentin. “Të jem e sinqertë, unë dhe supersticionet nuk kemi patur asnjë pikë takimi për pothuaj gjithë jetën time! Nuk e di përse, por kohët e fundit ky raport ka filluar të ndryshojë. Nuk jam ushqyer nga familja me supersticione dhe nuk mbaj mend prindërit të hapin të tilla biseda! Sigurisht rrugën e ndërronim kur kalonte macja e zezë, por më shumë për forcë zakoni! Amosi tani e mban në shtëpi Kalipson (macen e tij të dashur të zezë qymyr). Ndërsa sot, për Geraldinën e gjej vetën duke futur thelpinj hudhrash në karrocë e në krevat…sa herë ma lëvdojne, them nën zë: “Zoti e ruajt!” Quhet supersticion?”, ka thënë Elia.