Në orën 20:00 ka nisur ndalimqarkullimi në të gjithë vendin tonë, pas ashpërsimit të masave nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Policia ka nisur punën në terren, ku në Vlorë janë vënë edhe pika kontrolli.
Në Durrës, qytetarët e kanë respektuar ngushtimin e fashës orare të ndalim-qarkullimit si masë parandaluese ndaj përhapjes së sëmundjes Covid 19 përmes infektimit nga SARS-CoV-2 dhe mutacionet e tij. Patrulla të shumta policore janë shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit-port, si dhe në hyrje-daljet e tij për të kontrolluar zbatimin e masave të reja anti-covid. Ato kanë ndaluar automjetet dhe këmbësorët që lëviznin në rrugë pas hyrjes në fuqi të orës policore, duke kërkuar në ccdo rast lejen përkatëse dhe në mungesë të saj kanë vendosur gjoba, tërhequr vëmendjen, po në ndonjë rast për mosbindje ndaj policisë kanë bërë dhe shoqërim në komisariat.
Pas rritjeve të numrit të të prekurve dhe vdekurve me covid, ekspertët u detyruan që të marrin masa më të ashpra për të parandaluar përhapjen më të madhe të pandemisë. Ndërsa në shumë vende të botës pas ashpërsimit të masave ka një ulje të kurbës së të infektuarve, në vendin tonë ka ndodhur e kundërta.