Nga Gavril Lasku/ Një paketë stimujsh prezantuar si pjesë e një programi ekonomik elektoral, natyrisht që është një temë me interes për t`u diskutuar dhe analizuar nga pikëpamja e përmbajtjes dhe mundësive që ajo ofron për votuesin Shqiptar mbi bazën e një vështrimi kritik dhe jo emocional. Është e kuptueshme që një forcë politike që synon të rikthehet në pushtet mbas një periudhe 8 vjeçare në opozitë, synon ti adresohet elektoratit sidomos atij të pavendosur me një përqasje alternative të pushtetit.
Një nga komponentët më të rëndësishme të kësaj përpjekjeje është dhe prezantimi i programi ekonomik, i cili tërheq më drejtpërdrejtë dhe më shpejt ndjeshmëritë e këtij elektorati. Përfaqësues të lartë të opozitës kanë prezantuar në publik tashmë një paketë stimujsh për studentët, arsimtarët, pagën minimale, etj. Në këtë prezantim është parashtruar gjithashtu edhe synimi për të mbështetur një sipërmarrje të lirë dhe nxitjen e investimeve të brendshme dhe të huaja.
Në ndërtimin e një projekti ekonomik është e rëndësishme përdorimi i statistikave në mënyrë që synimet dhe strategjitë operacionale të kenë mbështetje argumentuese të fenomeneve ku planifikohet të ndërhyet si dhe të justifikohen prioritetet e menduara. Njëkohësisht vlen të theksohet se programet e zhvillimit të ekonomisë së një vendi duhet të ruajeni disa balanca midis sektorëve të ndryshëm si ajo midis industrisë dhe bujqësisë, sektorit publik dhe privat apo rajoneve urbane dhe rurale. Në këtë këndvështrim, programi është një proces planifikues dhe koordinues i aktiviteteve të ndryshme gjithëpërfshirëse në sferën e prodhimit. konsumit, shpërndarjes, shkëmbimit dhe financave për të përcaktuar arritjen e objektivave të caktuar ekonomike dhe sociale.
Pritshmërie e ekspertëve për këtë program kanë qenë të lidhura me ri pozicionimin e shpejtë të ekonomisë sonë në ritmet e zhvillimit të para krizës së pandemisë, në ndërtimin e një buxheti solid dhe të balancuar si nga pikëpamja e të ardhurave ashtu dhe në atë të shpenzimeve, administrimi i një defiçi fiskal që lejon përballimin e nevojave në rritje nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, qartësinë një kompromisi afatshkurtër dhe afatgjatë të politikave fiskale për përballimin e goditjeve të krizës globale, përballimin e presioneve inflacioniste, ndërtimin e politikave të qarta për financimin e projekteve të sipërmarrjes dhe nevojave për investime etj. I themi këto principe të planifikimit ekonomik duke supozuar që ato do të ishin preludi i programit ekonomik të opozitës për të na krijuar pritshmërinë që ky program ekonomik është një dokument i përgatitur me seriozitet nga pikëpamja metodologjike. Në prezantimin e funksionarëve të lartë të opozitës është përdorur termi ‘program ekonomik’. Kjo na le të kuptojmë që në këtë program janë të përcaktuara qartë strukturimi i objektivave projektuar mbi bazën e një fondamenti ideologjik dhe politik.
Çdo program elektoral është program së pari politik përpara se të jetë një program ekonomik dhe bazohet në një algoritëm të qartë të marrëdhënieve midis objektivave afatgjatë, afatmesëm dhe afatshkurtër në bashkëveprim me instrumentet, indikatorët dhe rezultatet e pritshme. Deri me tani mbetemi ne kuadër te supozimeve persa me sipër, pasi nuk kemi te publikuar një dokument të përshkruar sa me sipër, ndërkohë që është prezantuar një paketë stimuluese për grupe të caktuara shoqërore si studentët, arsimtarët si dhe është përcaktuar përdorimi i aplikimit të taksës së sheshtë për sipërmarrjen, nëse opozita fiton mandatin për të qeverisur vendin.
Dihet fakti që stimujt flasin më mirë me elektoratin, por që prezantimi i një programi fillon me stimujt të cilat janë instrumente dhe jo objektiva, nuk qartëson këtë marrëdhënie bashkëvepruese midis elementëve të këtij algoritmi dhe për këtë arsye le shteg që kjo përqasje të mos kuptohet nga një pjesë e elektoratit, i cili ka eksperiencën dhe edukimin e nevojshëm për të kuptuar ofertën dhe përcaktuar qëndrimin e tij në lidhje me besimin ndaj forcave politike në mandatin e ardhshëm.
Kjo paketë stimujsh e pavendosur në një kontekst strategjik dhe ideologjik shkakton dhe një konfuzion mendimesh dhe vlerësimesh për boshtin e shkollës ekonomike ku bazohet ajo. Nga njëra anë paketa e stimujve tregon përdorimin e instrumenteve të shkollës liberale nëpërmjet premtimeve për nxitjen e sipërmarrjes se lirë dhe taksën e sheshtë dhe nga ana tjetër vazhdon me elementë të shkollës opozitare Keynesiane të përdorimit të politikës fiskale dhe investimeve publike dhe ndërhyrjes së shtetit në ekonomi nëpërmjet rritjes së pagave dhe pagës minimale. Nuk e dimë nëse për këtë iniciativë janë konsultuar me komunitetin e biznesit? Të jesh në mes të këtyre dy shkollave diametrialisht të kundërta, do të thotë ngelesh në një strategji qe quhet ‘Stuck in the Middle’ ose në shqip të ngelësh në mes dy rrymash dhe të mos avancosh në asnjë drejtim, deri në fund pra të krijosh konfuzion programor dhe si rezultat të sjell rezultate jo të kënaqshme për atë që parashikon. Elementë të ndryshëm në këtë përqasje ‘offset-in’ neutralizojne njëra-tjetrën në operacionet programore.
Le të vijmë te burimet financiare të kësaj pakete stimuluese. Nga ajo që është thënë deri më tani, theksohet që kjo paketë stimujsh do të kushtojë rreth 450 milionë euro që do të vijnë nga ndryshimi i sistemit të tatimeve, rritja ekonomike dhe administrimi më i mirë i fondeve të investimeve publike. Le të përqendrohemi në mënyrë tangent te impakti i aplikimit të taksës së sheshtë në të ardhurat fiskale. Të gjithë bien dakord se drejtësia dhe efikasiteti janë dy objektiva të rëndësishëm të sistemit tatimor, por shpesh këto dy objektiva bien ndesh me njëra-tjeterën.
Një nga parimet e drejtësisë është dhe aftësia për të paguar, i cili përcakton që sasia e taksës që i vihet një personi është në përputhje me barrën që ai mund të mbaje. Ky parim i drejtësisë nuk respektohet në rastin e taksës së sheshtë. Lë të shikojmë efikasitetin e kësaj takse dhe le të marrim vetëm një segment të këtij aplikimi, atë të tatimit mbi fitimin. Nëse kemi parasysh që taksa e sheshtë do të jetë 9 % , diferenca prej 6 % (15-9) e aplikuar për rreth 80 % vlerës së fitimit që vjen nga bizneset që deri më tani paguajne 15 %, do të rezultojë me një defiçit të menjëhershëm në arkën e shtetit.
Është e lehtë të llogarisësh këtë humbje nëse në shifrën e afarizmit total që realizon sipërmarrja në Shqipëri të aplikojmë një normë mesatare fitimi prej 10 % për të gjetur vlerën e tatueshme, e më pas të aplikojmë indeksin e sipërpërmendur prej 80%, pra atë pjesë që do afektohet nga taksa e sheshtë e së fundmi të aplikojmë diferencën e zbritjes se tatimit mbi fitimin me 6% mbi këtë vlerë të tatueshme. Çdokush mund ta bëjë këtë llogaritje dhe të nxjerrë impaktin e kësaj ulje të tatimit mbi fitimin dhe të shikojë që vlera e defiçitit është e konsiderueshme për buxhetin fiskal. Nga sa është thënë, ky efekt do të tejkalohet nga efekti i rritjes ekonomike që taksa e sheshtë do te induktojë në të ardhurat e sipërmarrjes.
Ky fakt është një objektiv që mbetet për tu gjykuar subjektivisht, sepse rritja ekonomike është një fenomen që duhet vlerësuar në mënyrë shumë faktoriale dhe marxhinale, pra ekonomistët besojnë që një përpjekje ekonomike vlen nëse të ardhurat marxhinale tejkalojnë kostot marxhinale. Deri në këtë moment nuk kemi të paraqitur një përqasje multi-faktoriale të rritjes ekonomike që të llogarisim nëse kemi përfitueshmëri marxhinale nga taksa e sheshtë apo jo dhe për këtë arsye, të paktën për një periudhë dy vjeçare ulja e tatim fitimit do të sjellë humbje në buxhetin fiskal.
Në një burim tjetër, paketës së stimujve thuhet do të sigurohet nga rishikimi i fondeveqe që janë të angazhuara në paketën e PPP. Asetet fizike financiare teknologjike janë faktorët kryesore të rritjes ekonomike. Rritja e tyre në dispozicion të ekonomisë dhe zhvillimi dinamik i këtyre aseteve në funksion të investimeve dhe tregtisë nacionale rajonale dhe ndërkombëtare të një vendi do të përcaktoje shkallën e konkurueshmërisë dhe integrimit të këtij vendi në ekonominë europiane dhe ndërkombëtare. Kërkesa për shërbimet publike dhe investimet në infrastrukturë do të rritet në mënyrë eksponenciale në të ardhmen.
Në një stad të tillë duhet të mendohet se si përballohen kërkesat në rritje për një infrastrukturë më moderne, fizike dhe teknologjike, të cilat do të duan fonde të rëndësishme financiare për të kapur ritmet e zhvillimeve rajonale dhe europiane dhe jo më të mendosh të kursesh fonde nga angazhimet aktuale. Për këtë arsye, zvogëlimi i këtyre fondeve nuk shkon paralel me ritmin e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës dhe nevojave për shërbime publike në vitetet e ardhshme. Në këtë këndvështrim sugjeroj që ky burim duhet rinkosideruar me kujdes në planifikimet e financimit për stimujt e premtuara
Theksohet që një burim tjetër i paketës së stimujve do të realizohet nga shmangia e humbjeve korruptive në administrimin e fondeve publike. Përsëri ky burim mbetet i paqartë sa kohë mbetet në kuadër të interpretimeve te informacioneve pa rekorde të konfirmuara që kërkojnë më shumë analizë dhe verifikim dhe ku kërkohet dhe bashkëpunimi me administratën publike. Kjo thënie ngre çështjen e investimit në administratën publike dhe sistemet e prokurimeve por edhe më gjerë. Kjo çështje ngre pyetjen nëse forca politike që prezanton programin do të ketë si qëllim ristrukturimin total të kësaj administrate, siç është vepruar gjithmonë kur ndryshojnë kahet politike dhe nëse po, çfarë kosto shtesë do të ketë kjo në ketë reformë???
Ekonomia e vendit tashmë për arsye të krizës globale të pandemisë ashtu si dhe shumë vende të tjera është shmangur nga nga cikli i saj natyror. Në këtë kontekst, shumë dilema dhe pyetje shtrohen si në kuadër makroekonomik ashtu dhe në atë mikroekonomik.
Ndërkohë që hapësirat e politikës monetare janë shteruar si dhe kur manovrat e politikës fiskale janë të kufizuara dhe të mbikëqyrura me kujdes nga institucionet ndërkombëtare financiare, mendimi ekonomik duhet të jetë i mirëpritur në projektimin ekonomik. Deri më tani nuk kemi informacion për institucionet e specializuara ekonomike që mbështesin këtë paketë stimujsh apo programi ekonomik që thuhet ekziston mbas kësaj pakete.
Një paketë stimujsh është e rëndësishme por nuk mund të ofrojë përgjigje për shumë pyetje që shtrohen në situatën e një krize globale e cila duhet të mbështetet në kornizën e duhur të fondamentit reformuese dhe e cila të orienton në hapat e përpjekjeve thelbësore që do të garantojnë rritjen ekonomike dhe konkurueshmerinë e ekonomisë sonë në tregjet ndërkombëtare. Për të siguruar rritje ekonomike të qëndrueshme, më tepër burime të konsiderueshme do të duhen në ngritjen e kapaciteteve për të ndërhyrë në fushën e kapitalit njerëzor, teknologjisë dhe inovacionit, tregjeve dhe industrializmit, reformën e pronësisë së tokës dhe shumë elementë të tjerë ambientalë.
Me aq sa është prezantuar mbetet e pamundur të gjykojmë se sa realiste janë këto stimuj dhe çfarë rezultati do arrihet, sidomos nëse kemi të deklaruar që vizioni i opozitës do të jetë sipërmarrja dhe investimet e huaja. Votuesi do të kërkojë të dijë se si opozita do t’i përqaset me programin e saj sfidave të rëndësishme të ambientit të investimeve dhe biznesit siç është ajo e problemeve të pronës, zbatimit të kontratave, çështjeve gjyqësore në konfliktet civile, apo insentivave direket që duhet të përdoren për thithjen e kapitalit dhe rritjen e investimeve në periudhën e ardhshme, e që të gjitha këto kërkojnë burime të konsiderueshme financiare.
Si përfundim, për aq sa kemi dëgjuar, për kohë sa kjo paketë stimujsh nuk është e vendosur në një kontekst të plotë programor dhe strategjik, e realizuar nëpërmjet një arkitekture të certifikuar nga pikëpamja e qëndrueshmërisë së buxhetit, politikave fiskale të qarta në kompleksitetin e tyre nëse do të jenë ekspansioniste, kontraktuese, apo neautrale, krijimit te lidhjeve shkak-pasoje, objektiva dhe instrumente, inpute dhe outpute, një lexues, dëgjues i vëmendshëm i kësaj pakete premtimesh dhe stimujsh, e ka të vështirë të gjykojë se sa realiste është kjo paketë, çfarë impakti do të ketë dhe sa shanse ekzistojnë që ajo të realizohet në periudhën e ardhshme./ fjala, Shënim: Autori është ekspert i çështjeve ekonomike