Policia gjatë 24 orët e fundit për shkak të mos respektimit të masave anti-COVID ka gjobitur 994 qytetarë me masën administrative prej 3.000 lekësh. Gjatë 24 orët e fundit 986 qytetarë janë konstatuar pa maskën mbrojtëse, ku 192 prej tyre ishin duke udhëtuar me automjete private. Gjatë kontrolleve të policisë është gjobitur 1 subjekt i cili kryente aktivitet në kundërshtim me masat anti-COVID. Ndërkohë me masën administrative prej 1.000.000 lekësh janë gjobitur 7 qytetarë pasi kanë shkelur orën policore.

Njoftimi i plotë i Policisë: Shërbimet e Policisë, gjatë 24 orëve të fundit, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 994 shtetas që nuk kanë zbatuar masat anticovid. 986 prej tyre janë ndëshkuar me masën 3.000 lekë, pasi nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 794 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 192 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë. Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 7 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00. Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.