Isa Mustafa mësohet se ka dorëzuar dorëheqjen para strukturave të partisë pak minuta më parë, pas humbjes së thellë që ka pësuar në zgjedhjet që u zhvilluan në një ditë më parë. Mediet kosovare raportojnë se sipas burimeve nga LDK, Mustafa në fillim të mbledhjes së partisë ka treguar lajmin para anëtarëve.
LDK mori goditjen më të fortë në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë duke regjistruar rezultatin më të dobët në historinë e saj. LDK nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka humbur thellë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.
LDK-ja nën udhëheqjen e Mustafës ka humbur çdo zgjedhje nacionale. Hera e fundit kur kjo parti ka fituar zgjedhjet e përgjithshme është nën udheheqjen e Ibrahim Rugovës. Kur janë numëruar 99.23% të votave, LDK-ja renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%. Ndërkaq LVV vazhdon të prijë. Aktualisht, LVV numëron 376 mijë e 933 vota, apo 47,88%. Partia e Albin Kurtit ndiqet nga PDK-ja në vend të dytë, e cila aktualisht ka marrë 136 mijë e 681 vota apo 17,36%.