Lërini helmet të kalojnë, le të kalojnë përplasjet verbale, por historia nuk mund të zhbëhet. Ky do të jetë pozicioni i Andrea Agnelli lidhur me grindjen që pati me Antonio Conte të martën në mbrëmje, në “Allianz Stadium”, një vend ku, për më tepër, ka një çmim për teknikun nga Salento. Ose më saktë aty pranë, më saktësisht në pjesën e jashtme të stadiumit, me yllin e personalizuar të të gjithë atyre që kanë bërë historinë e Juventusit.
Ky yll është bërë objekt debati midis tifozëve më të zjarrtë bardhezinj, që kanë nisur një peticion online për ta hequr atë që i dedikohet Contes. Një iniciativë që po gjen shumë ndjekës, por jo Andrea Agnelli, i cili, siç raportohet nga “Tuttosport”, nuk e ka fare në planet e tij që të eleminojë yllin e Contes, thjesht sepse historia e një klubi nuk mund të harrohet brenda natës, pavarësisht nga protagonistët e ndryshëm dhe vendimet e jetës.
Tashmë, në kohën e emërimit të Conte si trajner i Interit kishte një mobilizim popullor bardhezi në këtë drejtim, i cili përfundoi duke u zvogëluar me kalimin e ditëve dhe javëve. Nuk ka dyshim se marrëdhënia midis dy antagonistëve është përkeqësuar, por kjo nuk do të thotë automatikisht marrja e një vendimi kaq të fortë dhe të qartë, i cili do të nxiste më tej pasojat dhe polemikat. Gjë që nuk i duhet asnjërës palë.