Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se do të jetë “shumë e vështirë” për SHBA-në që të arrijë imunitetin e tufës kundër koronavirusit deri në shtator. “Ideja që kjo mund të kryhet dhe ne mund ta arrijmë imunitetin e tufës shumë kohë përpara përfundimit të verës, është shumë e vështirë”, tha Biden në një intervistë për kanalin televiziv CBS. Imuniteti i tufës arrihet kur një pjesë e madhe e popullatës bëhet rezistente ndaj sëmundjes, ose nga infeksioni i mëparshëm, ose nga vaksinimi. Sipas shkencëtarëve, imuniteti i tufës kundër koronavirusit kërkon që së paku 75 për qind e popullatës të zhvillojë mbrojtje.
Shtëpia e Bardhë është zotuar se do të administrojë së paku 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit në 100 ditët e para të administratës së re. Kjo nënkupton vaksinimin e 50 milionë njerëzve, pasi vaksina, për të qenë efektive, duhet të jepet në dy doza. Deri më 7 shkurt, sipas të dhënave të Qeverisë amerikane, mbi 9 milionë amerikanë kanë marrë nga dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech ose Moderna. Biden tha se sfida janë tejkalimi i problemeve logjistike dhe mungesat në furnizime. SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi. Mbi 27 milionë njerëz atje janë infektuar dhe mbi 463,000 kanë vd ekur. Në të gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 106 milionë njerëz. Prej tyre, mbi 2.3 milionë kanë vd ekur dhe afro 60 milionë janë shëruar.