Shpëtimtari i dikurshëm i Eurozonës është thirrur për të nxjerrë Italinë nga bataku. Pyetja shtrohet: a mund të jetë ai një hero për herë të dytë? Mario Draghi, ish-kreu i Bankës Qëndrore Europiane, ka pranuar ftesën e presidentit italian Sergio Mattarella për të formuar qeverinë italiane dhe për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike dhe shëndetësore në të cilën është zhytur. Deri të martën ideja e të paturit Draghin në krye të vendit dukej si një dëshirë e paarritshme për italianët e lodhur nga një koalicion qeverisës i paaftë, që u mbolli veç dyshime për një dalje të mundshme nga tuneli i errët në të cilën ishin futur.
Draghi pozicionohet në karrigen e kryemistrit duke qenë një nga zyrtarët me profilin më të lartë në arenën ndërkombëtare dhe një nga mbrojtësit më stoik te Bashkimit Europian. Ai u përgëzua nga shtetet europiane për kontributin e tij në krizën ekonomike, duke “shpëtuar” euron që në nisje të mandatit të tij në krye të BQE-së, në vitin 2011. Ai lehtësoi normat e interesit dhe lehtësoi shumë vende, duke përfshirë edhe Italinë, nga presioni i madh ekonomik në atë kohë.
Ai premtoi se do të paguante borxhin e çdo qeverie që ishte skeptike për Eurozonën dhe ndërkohë Banka Qëndrore Eurpoiane nuk harxhoi asnjë kacidhe pasi mjafoi kërcënimi për një veprim të tillë që tregu europian të gjallërohej. Draghi ndihmoi padyshim në zbutjen e krizës së euros por solli dhe një sërë transformimesh teknologjike në sistemin e Bankës Qëndrore për të përmirësuar performancën e vet dhe ja doli.
Ai njihet si një njeri i displinuar, serioz dhe tepër i dedikuar. Mario Draghi zotëron një diplomë në ekonomi dhe një doktoraturë nga Instituti prestigjoz i teknologjisë në Masaçusets. Për 6 vite ai ka punuar në Bankën Botërore dhe më pas u emërua si drejtor i Thesarit italian për 10 vite të tjera. Duke punuar nën udhëheqjen e shumë qeverive të ndryshme italiane por edhe europiane, ai i njeh mirë mekanizmat e vendit por edhe të BE-së.
Rreziku më i madh për Draghi-n, por edhe për Italinë mbetet fakti se edhe me marrjen e mandatit nga ana e tij vendi mbetet sërish i destinuar të veprojë nën lidershipin e një qeverie teknike. Këto të fundit kanë repuatacionin për ta lënë vendin në baltë në momentet më kritike. Megjithatë presidenti Mattarella tha se zgjedhje e parakohshme nuk do ta ndihmonin Italinë në gjendjen që është. Ai u zotua se do të bënte zgjedhjen e duhur për Italinë, megjithëse i mbeteshin shumë pak variante të mundshme për pozicionin e kryeministrit.
Për javë të tëra, emri i Draghi-t ka qënë më i lakuar për të qenë kreu i qeverisë së re. Sfida që e pret Draghin pas marrjes së detyrës është formimi i një koalicioni qeverisës, një përgjegjësi që bëhet edhe më e vështirë nëse merret parasysh se partia më e madhe në parlamentin italian “Lëvizja 5 Yje” është e njohur për qëndrimet e veta euroskeptike. Megjithatë Partia Demokratike dhe Italia Viva e Matteo Renzi-t duket se e mbështesin të zgjedhurin e presidentit.
Kush është Mario Draghi/ Mario Draghi, 73 vjeç, është një ekonomist dhe bankier italian që ka mbajtur pozicione të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, nga Banka e Italisë e deri te Banka Qendrore Evropiane.
Draghi ka lindur në Romë më 3 Shtator të vitit 1947. Babai i tij Carlo Draghi ishte një bankier në Bankën e Italisë (IRI) dhe nëna e tij Gilda Mancini (një farmaciste nga Campania). Mario ishte fëmija i parë i familjes dhe më vonë u bë me një motër, Andreina dhe me një vëlla Marcello.
Fëmijëria e vështirë dhe studimet/ Jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për këta tre fëmijë, pasi prindërit e tyre u zhdukën në vitin 1962, kur Mario ishte vetëm 15 vjeç. Në moshë fare të re, të treve iu desh të kujdesen edhe për një motër të babait të tyre.
Fati i vështirë e vë Mario Draghi-n në pozicionin e të qenit kryefamiljar në moshën 15 vjeçare. Situata familjare megjithatë nuk i ndaloi ata të ndiqnin studimet.
Andreina studioi në Liceo Tasso në Romë (për Teori Arti në vitin 1999).
Marcello studioi në Institutin Massimo të kryeqytetit (duke u bërë një sipërmarrës). Atje ai u njoh me Luca Cordero di Montezemolo dhe Giancarlo Magalli.
Mario Draghi studioi në të njëjtën Institut në Romë, i cili pasi u diplomua mori rrugën për në Universitetin në La Sapienza në vitin 1970, në Fakultetin e Ekonomisë.
Duke pasur si kryetar ekonomistin italian Federico Caffè, ai diskutoi tezën me titull: “Integrimi ekonomik dhe ndryshimi i kurseve të këmbimit.” Teza i dha atij notat dhe nderimet më të larta. Paradoksi, është se teza e diplomës së tij është shumë kritike për monedhën e vetme evropiane (ende një projekt në atë kohë).
Një vit pas diplomimit, 1971, me rekomandimin e Franco Modigliani, një ekonomisti italian, ai hyri në një nga universitetet më të mira dhe të rëndësishme në botë MIT (Massachusetts Institute of Technology) në Shtetet e Bashkuara.
Draghi në Bankën Qendrore Evropiane/ Puna e Mario Draghi, si bankier i Bankës Qendrore Evropiane filloi më 16 maj 2011. Ndërsa më 24 qershor të të njëjtit vit udhëheqësit e Brukselit caktuan përfundimisht Mario Draghi si Guvernator të Bankës Qendrore Evropiane. Mandati i tij filloi në 1 nëntor 2011.
Si një fjalim hapës në cilësinë zyrtare të Guvernatorit Mario Draghi, menjëherë kërkoi nga vendet e Bashkimit Evropian që të fitojnë besueshmëri të re në tregje dhe të shkojnë drejt një politike ekonomike të re, më homogjene në të gjithë zonën e euros.
Më 31 Dhjetor 2012 ai u emërua “Njeriu i Vitit” nga gazetat angleze “Financial Times” dhe “The Times”, që i japin merita për menaxhimin e borxhit evropian në një kohë kaq të vështirë për BE-në duke pasur parasysh që kriza po prekte fuqishëm tregjet e eurozonës dhe po rrezikonte seriozisht ekonomi të rëndësishme si ajo e Italisë dhe e Spanjës.
Jeta private e Mario Draghi-t/ Lajmet për jetën private të Mario Draghi-t dhe vilën në Lavinio tregojnë për një burrë që rri në krye të institucioneve më të rëndësishme të kreditit në botë, por në të njëjtën kohë nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes.
Me një vilë në Lavinio, Mario Draghi shpesh është parë duke vrapuar me veshje sportive. Në fakt, ai është një adhurues i madh i sporteve, si tenisi dhe golfi. I rezervuar dhe gjithmonë jashtë vëmendjes kur bëhet fjalë për jetën e tij private, Mario Draghi duket se është një nga ata njerëz të ndrojtur që nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes.
Mario Draghi, gruaja Serena dhe fëmijët: Mario Draghi është i martuar me Serena Draghi (Maria Serenella Cappello). Gruaja e tij vjen nga një familje fisnike duke qenë se është pasardhëse e Bianca Cappello, gruas së Dukës së Madh të Toskanës, Francesco de ‘Medici.
Dy fëmijët: Federica Draghi është e diplomuar për biologji, ndërsa ka dhe kryer dhe studimet master në Nju Jork për biznes. Aktualisht ajo drejton një kompani që merret me bioteknologji.
Giacomo Draghi (i diplomuar në Bocconi dhe aktualisht është një tregtar financiar në Morgan Stanley).