Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në vend, duke e ndalur theksin tek përplasjet mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim sa i takon listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, programin ekonomik dhe politik të Partisë Demokratike, si dhe deklaratat e shefit të selisë rozë, i cili zbuloi se ai dhe kryedemokrati Basha kanë pasur një marrëveshje fluide për të çuar drejt humnerës Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi zbuloi arsyet se përse Rama dhe Basha duan shkrirjen e LSI-së, ndërsa theksoi se këtë parti në 2017 e shpëtoi ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, zgjedhjet e 25 prillit do të jenë të qeta dhe do t’i fitojë Partia Socialiste, por shtoi se pas zgjedhjeve mund të ketë tensione.
-Zoti Klosi, me afrimin e zgjedhjeve duket se situata politike është ndezur pak. Si i shihni këto zgjedhje, do jenë të qeta apo do kemi thellim të tensioneve?
Nuk besoj se do të ketë tensione para zgjedhjeve të 25 prillit. Pse? Sepse nuk ka arsye që të tensionohet situata para zgjedhje. Problemet janë të qarta dhe secila nga palët dhe grupimet politike kanë argumentet e veta e programin e vet, kështu që nuk ka arsye që të tensionohet situata.
Po ashtu edhe reforma zgjedhore që u bë, duket se është pranuar nga të gjitha palët tanimë dhe të gjitha këto më bëjnë që të mendoj dhe shpresoj që të mos shohim tensione. Pra, mendoj se do të kemi zgjedhje të qeta, pavarësisht se fushata elektorale për këto zgjedhje do të jetë e ndezur dhe e fortë. Por nga ana tjetër, unë kam frikë dhe dyshoj se do të kemi tensione pas zgjedhjeve.
Gjasat janë që zgjedhjet e 25 prillit do t’i fitojë Partia Socialiste dhe të pakënaqurit që në këtë rast Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta pranojnë humbjen dhe do të nisin kontestimet. Plus që të mendosh edhe thirrjet e Berishës që kërkon një 20 shkurt të dytë, kam frikë se do të kemi tensione dhe përplasje pas zgjedhjeve, pasi humbja e opozitës i ka shkuar kësaj të fundit tek dera.
Sali Berisha është plak tani dhe është mësuar t’i vërë zjarrin vendit gjatë këtyre 30 viteve, kështu që nuk ka çfarë humb ai dhe do të tentojë të bëjë thirrje për revolta, pas humbjes së zgjedhjeve.
-Ajo që ka ndezur situatën është një deklaratë e kryeministrit se ai dhe Basha kanë planifikuar dërgimin e LSI për skrap. Pse erdhi kjo deklaratë?
Nuk mund ta mohoj dhe mendoj se bashkëpunimi mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të “eliminuar” Lëvizjen Socialiste për Integrim ka hedhur piketat e para që në vitin 2008. Ndryshimet kushtetuese që u bënë në vitin 2008 u bënë pikërisht që një prioritet të ishte edhe çuarja për skrap e LSI-së. Kështu që duke qenë se Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që edhe në bashkëqeverisje me PD-në dhe PS-në iu ka krijuar probleme këtyre subjekteve dhe si duket Edi dhe Luli kanë gjetur gjuhën e përbashkët, duke bërë një kompromis të heshtur për të shkërmoqur LSI-në. Luli dhe Edi nuk e duan që LSI-në ta kenë ferrë nëpër këmbë dhe kështu kanë bërë kompromis që të “asgjësojnë” atë. Rama nuk flet kot dhe besoj që e ka marrë një premtim nga Basha.
-Mendoni se ka pasur vërtet një bashkëpunim në 2017 kundër LSI apo është strategji e Ramës për të nxitur konflikt PD-LSI?
Edi Rama është një lider i fortë dhe nuk flet pa menduar. Kjo deklaratë ka qenë shumëplanëshe dhe përveçse nxori një sekret që për të shkërmoqur LSI-në nuk ishte vetëm PS, por edhe PD, Rama gjeti momentin dhe lëshoi këtë deklaratë. Për hir të së vërtetës kjo deklaratë ka pasur shumë efekt dhe duket që e ka trazuar situatën politike brenda Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Rama e ka menduar dhe ka analizuar anën pozitive që do të merrte nga kjo deklaratë dhe e hodhi në tregun mediatik. Pra, mes një rezultatit negativ dhe pozitiv që do të shkaktonte kjo deklaratë, mendoj se ky i fundit është më afër, ku kemi një dobi në të mirë të socialistëve. Tani në çfarë aspekti është pozitive kjo deklaratë për Partinë Socialiste, nuk mund të them më shumë, pasi sekretet e saj i di vetëm Edi.
-Si e shihni LSI në këto zgjedhje, do jetë sërish ai xholi që përcakton qeverinë?
Nuk di ta them këtë, pasi këtu hyn në lojë “Orakulli”. Por sigurisht që prandaj bëhen zgjedhjet, pasi situata është e paqartë. Por besoj se këto zgjedhje do t’i fitojë Partia Socialiste, jo se unë kam gjë me opozitën. Por i besoj më shumë Edit për Kryeministër se sa Lulzim Bashës. Dhe nga kjo pikëpamje nuk besoj se Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë luksin këtë herë për të përcaktuar qeverinë, në një kohë që gjasat janë që PS të rimandatohet dhe marrë shumicën në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
-Rama tha se Basha e tradhtoi për planin kundër LSI. Nëse kthehemi pas në kohë, një ditë pas takimit të tyre Ilir Meta pati një takim me Berishën në zyrën e këtij të fundit. A ishte Berisha ai i cili ndali shkrirjen e LSI që në 2017?
Mendoj se po. Berisha ka ndihmuar në një farë mënyre në mosshkrirjen e LSI që në 2017. Në dijeninë time Iliri dhe Saliu janë shumë miq në aspektin personal, se sa politik. Kështu që nuk do të çuditesha nëse e gjitha kjo do të ishte e vërtet. Por megjithatë është më e thellë kjo puna e “skrapizimit të LSI-së”.
-Si e shihni rolin e Metës në këto zgjedhje. Është normale që e ka kategorizuar veten palë me opozitën dhe çdo ditë kërkon përmbysje më 25 prill?
Ilir Meta ka qenë gjithmonë një politikan i fortë dhe i rëndësishëm. Iliri edhe sot që është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, ka ndikim dhe fuqi tek Lëvizja Socialiste për Integrim. Por nga ana tjetër pozicioni i kreut të shtetit e frenon pak që ai të tregohet “gladiator” në betejën e politikës dhe të dalë hapur që të mbajë anën e LSI-së apo opozitës në tërësi, pasi kjo do ta bënte të vështirë pozicionin. Por Meta ka qenë gjithmonë një politikan goxha i shkathët. Iliri ka qenë kryetar i një partie relativisht të vogël në krahasim me dy të mëdhatë. I është dashur të bëjë dhe kapërcejë shumë pengesa për të qëndruar mbi ujë. Kështu edhe këtë radhë Iliri sigurisht do të ketë kontributin e vet. Meta duket që nuk ka qenë pasiv, por ka qenë shumë aktiv në politikë edhe si president, pavarësisht se sipas meje, ndonjëherë edhe e ka kaluar cakun e të qenit kreu i shtetit.
-Një debat tjetër është ai i dekriminalizimit. Duket sikur ka një tensionim të raporteve të Ramës me SHBA. Kryeministri ka kërkuar nga ambasadorët që të mos i tregojnë detyrat, ndërsa dje ambasadorja ka reaguar po ashpër. Si i shihni këto zhvillime? A rrezikon kryeministri të hyjë në një përplasje me SHBA?
Nuk besoj se jemi përballë një përplasje mes Qeverisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto janë deklarata taktike, që sot që bëri deklaratën, nesër takohet me ambasadoren për probleme dhe mund të jetë një atmosferë fare miqësore. Në përgjithësi Edi ka qenë i kujdesshëm kur bën deklarata, pavarësisht se kur bën deklarata të tillë, kërkon që të tregojë se është kryeministri i një vendi sovran dhe e ka situatën në kontroll, e më the të thashë. Natyrisht që ne ndërkombëtarët i kemi konsideruar gjithmonë aleatë dhe këto që thuhen e artikulohen nga kryeministri janë lëvizje të vogla taktike për të arritur qëllime të caktuara që e di Rama vetë. Unë besoj tek Edi Rama dhe ky i fundit është një politikan race që nuk bën asgjë pa e llogaritur mirë.
-PD ka prezantuar programet e saj dhe duket se ka një eufori se do jetë fituese. Si e shihni organizimin e PD, ndërkohë që janë emëruar dhe disa drejtues politikë në qarqe?
Programi i Partisë Demokratike më duket tejet i fryrë dhe që nuk ka shanse të behët realitet. Unë nuk mund t’i besoj Lulzim Bashës, pasi ky njeri është provuar 8 vite, si në pushtetin qendror, ashtu edhe në pushtetin vendor. Po të shikosh edhe drejtuesit politikë kemi një riintegrim të figurave që i kemi parë dhe janë konsumuar dhe organizmi i PD-së çedon për mendimin tim. Populli nuk ka nevojë për program, por për individë që premtojnë dhe e bëjnë diçka. Luli është provuar. Programi është propagandë elektorale, ku mblidhen ca premtime dhe quhen programe. Por natyrisht duke qenë programe elektorale, pjesa më e madhe e tyre është retorikë boshe. Eksperienca jonë në Shqipëri ka treguar që populli të voton duke pasur busull programin.
Me programin merren politikanë dhe gazetarët. Kështu që unë kam përshtypjen që në Shqipëri faktori kryesor që vendosen zgjedhjet është opinioni i qytetarëve për shefat e partive, meqenëse në përgjithësi shefat deri tani kanë qenë shumë të fuqishëm. Fakti që janë Berisha 30 vjet shef, Fatmir Mediu me kompani, tregon se njerëzit votojnë për shefat dhe jo për programit. Kemi sot krerë partish që kanë 30 vjet kryetar partish dhe këto të fundit janë struktura personale. Pra, njerëzit votojnë për udhëheqësit dhe mendoj gjithmonë sipas meje, që Lulzim Basha do të jetë objekti i kallaballëkut në zgjedhjet e 25 prillit, ku do të ndëshkohet me votë. Basha po mburret dhe po gënjen shumë dhe këtë po e kuptojnë të tërë.
-Genc Ruli i ka dërguar disa mesazhe Berishës se duhet të pensionohet, por duket se ish-kryeministri e ka ndarë mendjen që do kandidojë. A duhet që Basha të largojë Berishën për të siguruar mbështetjen e të pavendosurve?
Sali Berisha duhej të ishte pensionuar dhe dalë nga politika me kohë. Saliu është sot politikani më i vjetër dhe nëse do të ishte serioz, duhet të largohej. Berisha përderisa po rri në politikë tregon se ka qenë një politikan i pazot dhe përmes ambicies për të qëndruar në politikë, tregon se ai nuk ka bërë asnjë kontribut të dobishëm për vendin dhe po kërkon të rrijë me demek se do të kontribuojë. Saliu nuk ka çfarë t’i japë më politikës dhe vendit, pasi boll vuajtje dhe fatkeqësi u ka sjellë gjatë këtyre 30 viteve.
Në PS dhe PD po qarkullojnë politikanë të rinj, ndërkohë që vetëm Berisha rri në qoshe dhe nuk largohet. Kjo është e rëndë, pasi politika ka nevojë për elementë të rinj. Kështu që mendoj se vendi i Berishës është zënë tashmë. Berisha injektoi në politikën shqiptare konfliktualitetit dhe sot këto episode që shohim, janë falë Berishës. Ky i fundit nxirrte njerëzit në rrugë sa herë mendonte se do t’i shërbente politikës së vet. Berisha ka bërë krime për interes të vet, ka qenë nismëtari i shumë ngjarjeve të rënda. Kështu që boll më dhe ka ardhur koha që ai të pensionohet. Po lind pyetja: A ka këllqe Luli? Jo! Pasi Luli është akoma një “kukull në duart e Berishës”.
Berisha ka emër akoma në Partinë Demokratike dhe është për të ardhur keq që PD-ja akoma nuk e ka gjetur zëvendësuesin e Sali Berishës, pra njëri që ta zëvendësonte vërtet. Lul Basha e ka zëvendësuar zyrtarisht, por nuk ta mbush mendjen që është ai që merr vendimet, pasi ato i merr plaku Berisha. Sali Berishën kishte për ta zëvendësuar vetëm një djalë i zoti që ishte tamam politikan dhe lider, por ai përfundoi keq, kështu që u katapultua Luli në krye të Partisë Demokratike. Megjithatë, të ndalem tek pyetja juaj besoj se Genci ka folur edhe me gjuhën e Lulit, por është vështirë ta largojnë dhe zëvendësojnë Berishën, deri sa të ikë vetë, pasi ai ka impakt dhe iu prish punë, po e përzunë nga PD.
-Kush fiton më 25 prill dhe a ka gjasa që PD-PS të shkojnë te një koalicion i madh?
Mendoj se Partia Socialiste do fitojë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 për shumë arsye. E para Partia Demokratike nuk ofron asgjë, pasi Lulzim Basha është provuar. Ndërkohë mendoj se nuk ka shanse që pas zgjedhjeve të 25 prillit që të shohim një qeveri të ndërtuar nga një koalicion i madh mes PS-së dhe PD-së, pasi siç e ka thënë gjithmonë, që nuk mund të ndodhë kjo gjë, pasi nuk e lejon Berisha dhe Meta, pasi do e konsideronin tradhti dhe do të mobilizonin të vetët.