Greqa ka publikuar sot në fletoren zyrtare kuotat e punonjësve sezonalë që do të kenë të drejtë të punësohen në vendin fqinj, shumica e të cilëve janë shqiptarë. Qeveria njofton se ka nevojë për 65.000 punëtorë sezonalë në bujqësi dhe rreth 10.000 ne blegtori, të cilëve do t’i jepen leje te përkohshme qëndrimi sezonale. Po ashtu vendi fqinj thotë se ka 18.000 vende të reja në bujqësi dhe 10000 të tjera në blegtori.
Athina zyrtare ka vendosur rregulla të reja, duke krijuar regjistrin e punonjësve sezonalë në vend, shumica prej të cilëve janë shqiptarë, të cilat kanë qëndrim të ligjshëm të përkohshëm ne Greqi, çka më parë ka qenë e pamundur.
Punëtorët sezonale për herë të parë u zyrtarizuan si të tillë vetëm një vit më parë 01.05.2020 me aktin normativ nr 90/ 01.05.2020 që lindi si marrëveshje e qeverisë Greke dhe asaj Shqiptare, e cila u dha mundësinë mijëra shtetasve shqiptarë të hyjnë në Greqi në mënyrë të ligjshme dhe të punësohen në sektorin bujqësor me procedura të thjeshta dhe totalisht falas.
Vendimi i ri i qeverisë greke, shënon një etapë tjetër në këtë proces, duke zyrtarizuar tashme statusin e tyre dhe duke krijuar vende konkrete pune. Për herë të parë janë krijuar edhe kategori të reja punësimi sezonal, siç është kujdesi ndaj moshave të treta apo personave të specializuar në elektronikë.
Vendin e parë për krahë pune mban prefektura e Imathisë me 12.000 leje pune,e ndjekur nga Halkidhikia me 10.000 dhe Pela me rreth 7000 leje.
I rëndësishëm është fakti që pala greke dëshiron ta zyrtarizoje këtë bashkëpunim kryesisht me Shqipërinë prej nga ku është fluksi më i madh i kërkesave, kjo jo vetëm prej afërsisë mes dy vendeve, por edhe për faktin se shqiptarët konsiderohen si punonjës të specializuar në sektorin e bujqësisë.
Ligji i ri mundëson krijimin e një regjistri zyrtar te punonjësve sezonalë,të cilët do të kenë mundësi të lëvizin lehtësisht nëpër kufij, por edhe të punësohen në më shumë se një fushatë prodhuese të kulturave të ndryshme në vend, çka rrit ndjeshëm periudhën e qëndrimit të këtyre punonjësve në Greqi.
Pra, emigrantët që do të jenë pjesë e këtij regjistri, do të lejohen të punojnë sipas stinëve dhe kulturave të ndryshme në të gjithë territorin e vendit.
Kjo pasi Greqia ka të paktën 3 procese të cilat i duhen krahë të shumta pune. Pranvera, periudhë në të cilën nisin frutat, vjeshta në të cilën nis mbledhja e ullirit dhe dimri të të cilën mblidhen agrumet.
Ligji i ri për punësimin sezonalë u mundësua prej kryetarit të federatës së fermerëve prodhues të frutave grekë Kristos Janakaqis dhe ekspertes shqiptare për çështjet emigratore, Arminda Plagarica.