Kryeministri Edi Rama ka ndarë me qytetarët një video mesazh në të cilin shprehet se nuk është i kënaqur me punët që janë bërë deri më tani. Kreu i qeverisë thotë se pandemia dhe tërmeti kanë qënë kohë të mallkuara të cilat kanë ndërprerë rrjedhën e jetës normale.
Ndër të tjera Rama bën të ditur se qeveria ka rritur pagën minimale, ka ulur taksën për bizneset e vogla si dhe ka rritur pagat për mjekët dhe mësuesit.
Tekst i zbardhur per videon e postuar nga Kryeministri ‘S’ka kohe per pushim’
Kemi marrë goditje të rënda dhe jemi përballur me sfida të mëdha. E di që disa prej jush jeni të pakënaqur që nuk janë përmbushur të gjitha pritshmëritë e këtij mandati të dytë. As unë s’jam i kënaqur, jo sot, por asnjëherë! Por të mos harrojmë çfarë kemi hequr në çdo hap në këto kohë kaq të mallkuara. Paga minimale është rritur me një të tretën,plot 36% që nga fillimi i punës nën drejtimin tonë.
Bluzat e bardha dhe mësuesit paguhen sot shumë më mirë. Taksa për afro 100 mijë biznese të vogla është bërë zero. Kantieret e ndërtimit janë më të shumtë se asnjëherë tjetër nëpër të gjithë Shqipërinë. Nga ky janar paga minimale sapo u rrit me 15%.
Ka nisur aplikimi për naftën pa taksa për 70 mijë fermerë të regjistruar.
Pavarësisht krizave reale dhe të thella nga tërmeti deri te pandemia dhe pengesave artificiale e të shumta nga politika, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara. Për të gjithë ata që duan të punojnë, jo të flenë apo të shikojnë me sy hapur ëndrra që i kanë zhgënjyer shqiptarët më shumë se njëherë, nuk ka kohë për pushim.